Evitohet rrahja... (Video)
Incidenti më serioz ishte ai në komisionin për çështje juridike. Gjithçka filloi pas propozimit të shumicës parlamentare që diskutimi për projekt-buxhetin e 2013-ës ta kalojë në Komisionin për çështje juridike. Situata e tensionuar kulmoi pasi deputetët e LSDM-së kundërshtuan ashpër refuzimin nga ana e kryetares Blagodarna Dulic të kërkesës së tyre për pauzë. Me këtë rast deputetja e LSDM-së Biljana Kazandziska ia mori mikrofonin kryetares së Komisionit, Duliq e cila madje përfundoi dhe me thua të thyer.
Gjithashtu deputetët penguan përplasjen fizike të deputetit serb Dragisa Miletic me njërin nga kolegët e tij. Situatë jo shumë ndryshe mbisundoi edhe në Komisionin për financa dhe buxhet, ku prej ditësh diskutohet rreth amendamenteve të opozitës për projekt buxhetin e vitit 2013, transmeton “Alsat-M”.
Që situatë të jetë akoma më dramatike, në kohën kur brenda në kuvend mbisundonte një atmosferë e tensionuar, një grup qytetarësh të revoltuar protestonin përpara kuvendit për shkak të mos miratimit akoma të projekt-buxhetit për vitin 2013. Opozita protestat i cilësoi se janë skenarë i përgatitur nga VMRO-DPMNE. /Telegrafi/


