Please enter at least 3 characters.

Evidentohen raste të keqpërdorimit  të ujit të pijshëm në Gjilan

KRU “Hidromorava” ka njoftuar se janë evidentuar raste të keqpërdorimit të ujit të pijshëm si larja e rrugëve, automjeteve, ujitja e kopshteve dhe përdorime të tjera të paautorizuara.

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) më 1 qershor ka marr vendimin për ndërmarrjen e masave të përkohshme për ndalimin e keqpërdorimit të ujit të pijshëm gjatë sezonit veror.

Përdorimi i ujit të pijshëm nga sistemi publik i furnizimit ndalohet për: Larjen e rrugëve, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera publike ose private, larjen e automjeteve, ujitjen e kopshteve, livadheve dhe tokave bujqësore, mbushjen e pishinave, çdo përdorim tjetër që nuk lidhet me nevojat themelore të konsumit njerëzor.

KRU “Hidromorava” ka bërë të ditur se çdo lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit, përbën shkelje të rregulloreve në fuqi dhe cenon furnizimin e rregullt me ujë për të gjithë qytetarët, ndërsa ndaj çdo keqpërdoruesi do të ndërmerren masa të rrepta, përfshirë edhe shkyçjen e menjëhershme nga rrjeti pa paralajmërim. /Telegrafi/