Please enter at least 3 characters.

Eurodeputetja spanjolle kritikon Kallasin: Izraeli po rrëmben qytetarët evropianë, ndërsa për ju kjo është qesharake

Irene Montero ka akuzuar Bashkimin Evropian se nuk ka mbrojtur qytetarët evropianë në bordin e flotës së anijeve për Gazën, të cilën e ka ndaluar Izraeli, duke i drejtuar kritika të ashpra shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, gjatë seancës plenare për Lindjen e Mesme.

Duke iu drejtuar Kallas në sallën e Parlamentit, deputetja e partisë Podemos dënoi veprimet e Izraelit në Mesdhe dhe akuzoi liderët e BE-së për heshtje.

“Izraeli tashmë prej 24 orësh ndodhet në mes të Mesdheut dhe, imagjinoni, po rrëmben anije dhe po kidnapon qytetarë evropianë. Për ju kjo është qesharake, apo jo? Për mua aspak nuk është qesharake,” tha ajo, duke pyetur: “A do të bëni ndonjëherë të paktën një hap për t’i mbrojtur?”, pohoi ajo.

Montero vuri në pikëpyetje se si do të reagonte BE-ja nëse një shtet tjetër do të ndërmerrte veprime të ngjashme.

“Çfarë do të bënit nëse kjo do të ishte Irani, nëse do të ishte Rusia që ndodhet në mes të Mesdheut dhe rrëmben qytetarë evropianë? Por meqë është Izraeli, ju vetëm buzëqeshni dhe ktheni kokën anash. Turp për ju”, tha eurodeputetja.

Më vonë të mërkurën, Montero ndau videon e fjalimit të saj në rrjetin social amerikan X, duke akuzuar BE-në se po ndihmon “gjenocidialët”.

“Izraeli po sulmon dhe po ndalon anijet me ndihma për Gazën në mes të Mesdheut, dhe kjo zonjë e konsideron qesharake dhe nuk bën asgjë për të mbrojtur të rrëmbyerit. Ata po ndihmojnë gjenocidistët dhe kjo tashmë as nuk po fshihet”, shkroi ajo.

Flota humanitare e ndihmave “Global Sumud” njoftoi të martën se të gjitha 50 anijet e konvojit të saj u sekuestruan nga Izraeli.

Një skandal i madh u shkaktua gjithashtu nga poshtërimi i të ndaluarve humanitarë nga ana e Izraelit, në të cilin thuhet se ka marrë pjesë edhe ministri Itamar Ben-Gvir. Shumë shtete evropiane kanë shprehur protestë diplomatike dhe kanë thirrur ambasadorët izraelitë për bisedime për trajtimin çnjerëzor të tyre. /Telegrafi/