Elena Rybakina fiton Australian Open pas triumfit ndaj numrit një të botës Aryna Sabalenka
Elena Rybakina ka fituar Australian Open, duke triumfuar në finalen e së shtunës ndaj numrit një në botë, Aryna Sabalenka, me rezultat 6-4, 4-6, 6-4 në një përballje spektakolare që zgjati 2 orë e 18 minuta në Rod Laver Arena.
Tenistja kazake, e renditur e pesta në botë, arriti të mbajë qetësinë në momentet vendimtare, duke marrë revanshin për humbjen ndaj Sabalenkës në finalen e vitit 2023 në Melbourne.
Me këtë fitore, Rybakina siguron titullin e saj të dytë Grand Slam, pas triumfit në Wimbledon në vitin 2022.
Rybakina e nisi fuqishëm ndeshjen, duke thyer menjëherë shërbimin e kundërshtares dhe duke fituar setin e parë pas 37 minutash, në atë që ishte seti i parë i humbur nga Sabalenka gjatë gjithë turneut të vitit 2026.
Në setin e dytë, Sabalenka reagoi fuqishëm dhe barazoi ndeshjen, duke e çuar finalen në set vendimtar.
ELENA RYBAKINA IS AN AUSTRALIAN OPEN CHAMPION 🏆
The No.5 seed defeats Aryna Sabalenka in an enthralling three-set encounter in Melbourne 👏 @wwos • @espn • @tntsports • @wowowtennis • #AO26pic.twitter.com/iWAAHFZFHR
— #AusOpen (@AustralianOpen) January 31, 2026
Seti i tretë ishte tejet i tensionuar, me Sabalenkën që mori epërsinë e parë, por Rybakina reagoi në mënyrë mbresëlënëse, riktheu baraspeshën dhe më pas siguroi një seri pikësh vendimtare.
Tenistja 26-vjeçare e mbylli ndeshjen me ace-in e saj të gjashtë, duke vulosur një fitore të madhe.
Ky ishte takimi i 15-të mes dy tenisteve, me Sabalenkën që kishte avantazh në përballjet direkte, por Rybakina ka qenë një nga lojtaret më në formë muajt e fundit.
Ajo kishte mposhtur gjithashtu Sabalenkën edhe në finalen e WTA Finals, ndërsa në Melbourne eliminoi emra të mëdhenj si Iga Swiatek dhe Jessica Pegula./Telegrafi/


