Please enter at least 3 characters.

Ekipi i QKMF-së në Obiliq aksidentohet gjatë transportit emergjent, katër të lënduar

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq ka njoftuar se gjatë ditës së sotme një ekip mjekësor është përfshirë në një aksident komunikacioni, derisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare për transport emergjent të një pacienti.

Sipas njoftimit të QKMF-së, si pasojë e aksidentit kanë pësuar lëndime të lehta trupore dy punëtorë shëndetësorë, si dhe dy persona nga pala tjetër e përfshirë në aksident. Nga QKMF-ja është bërë e ditur se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

Ngjarja ka ndikuar edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, pasi, siç thuhet në njoftim, për shkak të aksidentit janë shkaktuar vonesa të përkohshme në realizimin e disa shërbimeve.

QKMF Obiliq u ka bërë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke theksuar se pavarësisht situatës, shërbimet shëndetësore janë duke vazhduar normalisht. /Telegrafi/