“Edhe unë do revoltohesha po të më thoshin se shteti po fal tokën”, Rama flet për protestën në Zvërnec
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pas incidentit në Zvërnec, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga rojet private në prani të policisë.
Rama tha se veprimi i rojeve ishte i papranueshëm dhe theksoi se reagimi i protestuesve ishte i kuptueshëm.
“Dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar kundër meje personalisht, pas aktit të neveritshëm të tërheqjes zvarrë të protestuesit në Zvërnec. Ju kam lexuar e dëgjuar, madje iu siguroj që edhe unë do revoltohesha e rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryesisht ndaj kryeministrit", tha Rama.
Kryeministri shtoi se do të kishte ndjerë të njëjtën zemërim sikur të ishte në vendin e qytetarëve.
“Sepse do më dukej e tmerrshme që disa roje private, në sy të policisë, të ulërisnin si kafshë dhe të merrnin jashtë nga ndërtesa një njeri, ta tërhiqnin zvarrë, e më pas policia të thoshte që u fut vetë, në vend që t’i arrestonte ata në vend”, u shpreh Rama.
Ai gjithashtu tregoi se përvoja e tij në “anën tjetër të barrikadës” i bën të kuptueshme reagimet e protestuesve dhe nuk përjashtoi se vetë mund të kishte vepruar edhe më fort në situata të ngjashme.
“Po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po i fal të huajve, edhe unë do të kisha revoltuar”, tha Rama, duke nënvizuar rëndësinë e ndjeshmërisë ndaj çështjeve të pronës dhe interesit publik. /Telegrafi/


