E ardhme e paqartë për Nkunku, largimi nga Milani në janar gjithnjë e më i afërt
Aventura e Christopher Nkunku te Milani pritet të përfundojë shumë shpejt, madje pa u konsoliduar ende mirë, pasi francezi mund të largohet nga “San Siro” që në afatin kalimtar të janarit.
Sulmuesi 28-vjeçar nuk ka arritur të lërë gjurmë me fanellën kuqezi, ndërsa trajneri Massimiliano Allegri raportohet se ka dhënë dritën jeshile për largimin e tij nga skuadra.
Gjithçka lidhet me afrimin e mundshëm të Jean-Philippe Matetas. Nëse Milani arrin marrëveshje për yllin e Crystal Palace, atëherë largimi i Nkunkut do të bëhet i pashmangshëm.
Rossonerët tashmë kanë pranuar disa oferta, kryesisht për huazimin e lojtarit me opsion blerjeje në fund të sezonit.
Roma po këmbëngul më së shumti për shërbimet e francezit, pasi Nkunku është një nga dëshirat kryesore të Gian Piero Gasperinit dhe negociatat me Milanin kanë nisur.
Megjithatë, në garë për transferimin e tij janë futur edhe Atletico Madrid dhe Fenerbahçe, të cilat po e monitorojnë nga afër situatën e sulmuesit.
Këtë sezon, Nkunku ka zhvilluar 19 ndeshje në të gjitha garat me Milanin, duke grumbulluar 944 minuta lojë, me bilanc prej pesë golash dhe dy asistimesh. /Telegrafi/


