Dy të mitur me motor i ikin policisë në Fushë Kosovë duke rrezikuar trafikun
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Fushë Kosovë, ku dy persona të mitur, duke drejtuar një motoçikletë, dyshohet se kanë tentuar t’i ikin policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Sipas pamjeve të siguruara, gjatë tentativës për t’u larguar, ata kanë lëvizur në kahun e kundërt të rrugës, ndërkohë që automjetet po vinin përballë, raporton Telegrafi.
Manovra e rrezikshme ka krijuar një situatë me potencial të lartë për aksident, duke vënë në rrezik si drejtuesit e motoçikletës, ashtu edhe drejtuesit e automjeteve të tjera.
Rrethanat e plota të ngjarjes dhe arsyet e tentativës për t’iu shmangur policisë mbeten ende të paqarta. Nuk dihet nëse nga incidenti ka pasur persona të lënduar.
Autoritetet pritet të sqarojnë detajet e rastit dhe të njoftojnë për veprimet e ndërmarra lidhur me këtë ngjarje. /Telegrafi/


