Dy konsumatorë në Hajvali shkëputen nga ujësjellësi, borxhet arrijnë në rreth 14 mijë euro
31/08/2026
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka shkëputur nga sistemi publik i ujësjellësit dy konsumatorë në Hajvali, në rrugën “Brigada 153”, për shkak të mospagesës së faturave.
Sipas KRU “Prishtina”, bëhet fjalë për dy konsumatorë me borxhe të larta, në vlerë prej rreth 5 mijë dhe 9 mijë euro.
Kompania ka bërë të ditur se pas një periudhe të gjatë të akumulimit të detyrimeve dhe mosshlyerjes së borxheve, janë ndërmarrë masat përkatëse dhe të dy konsumatorëve u është ndërprerë furnizimi me ujë.
Borxhi i përgjithshëm i këtyre dy rasteve arrin në rreth 14 mijë euro.
KRU “Prishtina” ka theksuar rëndësinë e respektimit të obligimeve financiare ndaj shërbimit publik të ujësjellësit. /Telegrafi/


