Drejtoria e Bujqësisë në Rahovec viziton fermerin në Fortesë, prezantohen 12 hektarë kultura bujqësore
Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Rahovecit ka realizuar një vizitë në fshatin Fortesë, ku është takuar me fermerin Fetah Popaj, i cili është vlerësuar si një shembull i përkushtimit dhe suksesit në sektorin bujqësor.
Gjatë vizitës, stafi i drejtorisë është njoftuar nga afër me kulturat bujqësore që kultivohen në një sipërfaqe prej 12 hektarësh, përfshirë 3 hektarë qepë, 2 hektarë speca, 2 hektarë kunguj, 1.5 hektarë pjepër, 1.5 hektarë pemëtari dhe 1 hektar patate.
Nga Drejtoria për Bujqësi është theksuar se çdo arë e punuar dhe çdo prodhim i kultivuar përfaqëson përkushtimin dhe sakrificën e fermerëve, të cilët konsiderohen shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe prodhimit vendor në komunë.
Po ashtu, është vlerësuar se suksesi i fermerëve si Fetah Popaj përbën motivim për vazhdimin e mbështetjes institucionale për sektorin e bujqësisë.
Drejtoria për Bujqësi në Rahovec ka theksuar se do të vazhdojë të jetë pranë fermerëve, duke synuar fuqizimin e prodhimit vendor dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në komunë. /Telegrafi/


