Please enter at least 3 characters.

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë distancohet nga ligjërata e dyshimtë në një shkollë

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka reaguar publikisht pas mbajtjes së një ligjërate mbi Gjykatën Speciale në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda”, duke sqaruar se Drejtoria e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në vendimmarrje për organizimin e këtij aktiviteti.

Sipas Shahinit, bazuar në informatat zyrtare të pranuara nga shkolla, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ndërsa pëlqimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH), pa përfshirjen dhe pa autorizimin e tij personal, si dhe pa miratimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet.

“Shpreh indinjatën time për mënyrën se si është vepruar dhe njoftoj se do të merren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi,” ka deklaruar Shahini.

Ai ka bërë të ditur se do të trajtohet edhe roli i organizatës që ka mbajtur ligjëratën, lidhur me mënyrën se si është trajtuar kjo temë me nxënësit e shkollës së mesme.

Në fund, Shahini ka theksuar se transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale janë parime të panegociueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxënësit dhe ambientet shkollore./Telegrafi/