Donald Trump zbulon nëse planifikon ta falë reperin P Diddy
Donald Trump ka deklaruar se do ta kishte “të vështirë” të falte reperin Sean "Diddy" Combs, i cili së fundmi u shpall fajtor për dy akuza për organizim prostitucioni. Edhe pse ende nuk është bërë e ditur se sa do të jetë dënimi i tij, Diddy ka kërkuar lirimin e përkohshëm nga paraburgimi deri në shpalljen e vendimit më 3 tetor, por duket se deri atëherë do të qëndrojë pas hekurave.
Trump, i cili në të kaluarën ka falur figura të njohura publike, si reperin NBA Youngboy (i akuzuar për armëmbajtje pa leje) dhe çiftin televiziv Todd dhe Julie Chrisley (të dënuar për mashtrime tatimore), u pyet së fundmi nëse do të bënte të njëjtën gjë edhe për Diddyn.
Edhe pse pranoi se dikur kishin marrëdhënie të mira, ai shtoi se gjërat ndryshuan kur ai hyri në politikë dhe u bë president i Shteteve të Bashkuara: "Kishim marrëdhënie miqësore, më dukej si djalë i mirë. Por sapo vendosa të kandidoja, u bë shumë armiqësor", tha Trump në një intervistë për Newsmax.
Ish-presidenti kujtoi se Diddy e kishte quajtur me fjalë fyese në të kaluarën. Në vitin 2017, Diddy kishte deklaruar publikisht se "nuk i bëhej vonë për Trumpin", ndërsa në 2020 kishte thënë:
"Të bardhët si Trump duhet të hiqen. Prioriteti numër një është ta largojmë Trumpin nga detyra".
Trump tani e pranon se deklaratat e tilla ndikojnë në vendimet e tij: "Jemi njerëz. Nuk duhet t’i lejojmë ndjenjat të na ndikojnë në gjykim, por nuk është e lehtë. Është më e vështirë të falësh dikë që të ka sulmuar," u shpreh ai, duke shtuar se përgjigjja më e mundshme për një falje të Diddyt do të ishte: "Më së shumti, jo".
Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Diddyt thotë se nuk kanë dijeni për ndonjë përpjekje për falje. Avokati kryesor, Mark Agnifilo, tha për Variety: "Nuk jam përfshirë fare në këtë çështje. Sinqerisht nuk kam asnjë ide. Ndonjëherë mendoj se s’ka asgjë, ndonjëherë më duket se ndoshta po ndodh diçka. Por nuk e di çfarë ndodh në kokën e Trumpit. Sinqerisht, nuk kam asnjë informacion".
Kujtojmë që më 2 korrik, Diddy u shpall i pafajshëm për dy akuza të rënda: trafikim seksual përmes dhunës, mashtrimit apo detyrimit, si dhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale (sipas ligjit RICO).
Megjithatë, ai nuk u lirua plotësisht nga përgjegjësia. Gjykata e shpalli fajtor për dy akuza të tjera që lidhen me prostitucionin – secila nga të cilat mund të sjellë deri në 10 vjet burgim. Dënimi i tij pritet të jepet më 3 tetor.
Edhe pse nuk përballet me burgim të përjetshëm, Combs vazhdon të përballet me presion të madh publik dhe ligjor, pasi ndaj tij janë ngritur edhe dhjetëra padi të tjera që e akuzojnë për ngacmim seksual dhe sjellje të tjera të paligjshme. /Telegrafi/


