Disa të dhëna interesante të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” mbi vizitën e presidentit të Ukrainës në Serbi
Sipas burimeve diplomatike, në Kiev ekziston një lob që në parim e kundërshton vizitën e Zelenskyt në shtetin ballkanik me prirje proruse.
Një vizitë e Zelenskyt në Serbi pritej të zhvillohej në mesin e majit, por Kievi e shtyu atë në momentin e fundit. Vizita u dakordua sërish dhe u caktua për javën e parë të gushtit, kur më 15 korrik presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në samitin e pestë Ukrainë-Evropa Juglindore në Kiev.
Ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar, gazeta gjermane thekson se ka gjasa që mes Ukrainës dhe Serbisë do të ketë një bashkëpunim jo vetëm ekonomik, por edhe në fushën e mbrojtjes, përfshirë mundësinë e prodhimit të përbashkët të dronëve. Një bashkëpunim i tillë mund të realizohej përmes një marrëveshjeje trepalëshe: Serbia si vendprodhim, Ukraina si vendi kryesor në përdorimin e dronëve dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si financuese.
Vizita është politikisht e ndjeshme edhe sepse, sipas sondazheve, simpatitë e popullsisë për presidentin rus Vlladimir Putin në asnjë shtet tjetër evropian nuk janë më të theksuara sesa në Serbi. Serbia është ndër pak shtetet evropiane që nuk kanë vendosur sanksione kundër Rusisë. Sipas të dhënave, ukrainasit janë të interesuar prej kohësh sidomos për prodhimin e armëve dhe municionit në Serbi.
Një rol të rëndësishëm në lidhjen mes Kievit dhe Beogradit e pati diplomati amerikan Kris Hill. “Në fillim të mandatit tim në Beograd, ambasadori ukrainas erdhi tek unë me një listë të pajisjeve ushtarake për të cilat Ukraina kishte nevojë urgjente në fushëbetejë. Ekipi i ambasadës sime verifikoi nëse serbët kishin aftësi t’i plotësonin këto kërkesa - dhe ata kishin”, kujton Hill në një bisedë telefonike me gazetën gjermane dhe shpjegon hapat e mëtejmë: “Shtetet e Bashkuara filluan të mbështesnin blerjen e sasive të konsiderueshme të municionit serb, për të cilin e dinim se nevojitej urgjentisht në Ukrainë.”
Serbia edhe sot këmbëngul se nuk i ka shitur Ukrainës kurrë as edhe një fishek të vetëm, gjë që formalisht është e vërtetë. Dërgesat shkonin te ndërmjetësit, për shembull në Poloni ose në Republikën Çeke. Prej andej ato dërgoheshin në Ukrainë pa përfshirjen e Serbisë.
Hill e përshkruan si moment kyç takimin ndërmjet Vuçiqit dhe Zelenskyt në Athinë në gushtin e vitit 2023, ku të dy presidentët kishin rënë dakord për bashkëpunim më të ngushtë dhe më pas e kishin vënë atë në praktikë. Sipas Hillit, bëhej fjalë edhe për atë që Serbia të ishte “në anën e duhur të historisë”, “edhe pse është kritikuar që nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë”.
Kush ndjek veprimtarinë ndërkombëtare të industrisë ukrainase të armatimit, ndeshet në mënyrë të pashmangshme me emrin e Oleksandr Kamishinit, ish-drejtor i hekurudhave ukrainase dhe më vonë ministër për industritë strategjike të Ukrainës. Që nga viti 2024 ai ka një rol të ri: si këshilltar i Zelenskyt për çështje strategjike, ai duhet ta lidhë industrinë ukrainase të mbrojtjes me partnerët evropianë.
Edhe në Serbi, Kamishini ka luajtur rol prapa skenave si ndërmjetës dhe koordinator. Thuhet se ai ka vizituar disa herë shtetin ballkanik gjatë viteve të fundit dhe se, bashkë me ekipin e tij, ka shqyrtuar lokacione të mundshme për një prodhim të përbashkët dronësh. Sipas burimeve të informuara, prodhimi i municionit të artilerisë ka qenë po ashtu temë e bisedimeve.
“Si ekonomia serbe, ashtu edhe ajo ukrainase kanë interes për një marrëveshje të tillë”, konfirmon Marko Çadezh, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Jashtme të Serbisë, i cili ka bërë shumë, si publikisht ashtu edhe prapa skenave, për afrimin ekonomik mes dy shteteve.
Çadezh sheh potencial të madh rritjeje për të dy vendet, sidomos në sektorin e teknologjisë së informacionit. “Qëndrueshmëria e industrisë ukrainase të IT-së është mbresëlënëse. Edhe në kushtet e luftës, ajo arriti ta ruajë kapacitetin eksportues dhe gjatë luftës të arrijë vlerën rekord prej 7,3 miliardë dollarësh në eksporte.
Ajo e ka ruajtur reputacionin e Ukrainës si një prej vendeve kryesore evropiane për shërbime të IT-së.” Sektori serb i IT-së, ndërkaq, i përket sektorëve me rritjen më të shpejtë në Evropë. Këtu ekzistojnë mundësi për rritje të përbashkët, thekson “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. /Telegrafi/


