Please enter at least 3 characters.

Dialog politik apo teknik?

Para pak kohe kur filluan, ashtu si filluan bisedimet e ashtuquajtura atëkohë si teknike, pozita në Kosovë, e që besa dhe shoqëria kosovare, nuk e kishte të qartë se për çfarë lloj bisedime po bëhej fjalë. Filluan si teknike, u bënë politike, po qe rezultati i tyre nuk qe ai i prituri.

Tash këto ditë tetori kur po paralajmërohet rifillimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, dilema që ekzistonte më parë tashmë nuk qëndron, kjo për faktin që sipas të sugjerimeve të autoriteteve ndërkombëtare, këto pritet të jenë kryekëput politike. Bisedimet e teknike vetëm sa i kanë paraprirë këtyre bisedimeve politike. Përveç kësaj, një ndër temat që pritet të diskutohet është dhe çështja e veriut të Kosovës.

Duke e pas parasysh që çdo gabim është mësim, besoj që kësaj radhe pala kosovare do të ketë mësuar nga gabimet paraprake në bisedimet e vitit të kaluar.

Fillimisht, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të posedojë një agjendë të qartë, pse jo edhe publike, sa i përket temave të këtyre bisedimeve. Më pastaj, rifillimi i këtyre bisedimeve duhet të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi i Republikës së Kosovës; të shtrohen pyetjet që do të duhej të shtroheshin edhe atëherë; cilat janë vijat e kuqe; cili do të jetë pozicioni i Kosovës në fillim dhe në fund të bisedimeve; çfarë benifite do të ketë shteti i Kosovës nga këto bisedime; pse të mos kem dhe ne kushte, derisa Serbia që në start i ka ato... e shumë pyetje tjera të cilat do t’i paraprinin rifillimit të bisedimeve me Beogradin.

Është dëshmuar dhe më herët se gjatë bisedimeve me autoritet në Beograd, presioni ndërkombëtar ka qenë prezent në të dy palët. Mirëpo, gjithherë pala kosovare më lehtë është dorëzuar karshi këtij presioni se ajo serbe. Madje, deklarata e presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliqit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vetëm sa e forcon bindjen e kamotshme që Serbia ende vazhdon me ëndrrat e vjetra serbe.

Përveç kësaj, si një ndër kushtet që do të duhej ta plotësonte Serbia para rifillimit të këtyre bisedimeve është amendamentimi i Kushtetutës së saj, në pjesën ku Republika e Kosovës figuron si pjesë e pandashme e saj. Nëse një amendamentim i tillë nuk bëhet, atëherë bisedimet nuk po zhvillohen mes dy subjekteve ndërkombëtare, si dy shtete të pavarura, por po dialogohet për një pjesë të Serbisë, brenda territorit të saj.