Please enter at least 3 characters.

Destinacionet më të kërkuara të amerikanëve - Shqipëria në Top‑5 të vendeve më të preferuara

Sipas të dhënave nga kërkimet e fluturimeve në platformën e njohur Kayak, udhëtimet për vitin 2026 po shënojnë një rritje të ndjeshme interesi. Shqipëria duket se do të jetë një nga destinacionet më të kërkuara gjatë këtij viti.

Analiza e Kayak tregon se interesimi për destinacionet ndërkombëtare jashtë Shteteve të Bashkuara është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar, me theks të veçantë te Evropa dhe rajoni i Ballkanit.

Ajo që gëzon veçanërisht është fakti se interesimi për Shqipërinë është rritur me plot 66 për qind, raporton axios.

Shqipëria renditet në vendin e katërt në listën e destinacioneve për të cilat interesimi i turistëve po shënon rritjen më të madhe.

Në vendin e parë renditet Republika Çeke, ku interesi u rrit me 179 për qind në janar 2026 krahasuar me vitin 2025, e ndjekur nga Bullgaria me 136 për qind dhe Hungaria me 86 për qind.

Më pas vijnë Rumania dhe Bosnja e Hercegovina, me një rritje prej 61 për qind secila. Kroacia renditet në vendin e 15-të, pasi interesi është rritur “vetëm” me 29 për qind.

Këto të dhëna janë një tregues i qartë se udhëtarët po e shohin gjithnjë e më shumë rajonin tonë si një destinacion tërheqës dhe të përballueshëm.

Kayak është një platformë globale online për kërkimin e udhëtimeve, e përshkruar shpesh si “Google për udhëtimet”.

Ajo nuk shet drejtpërdrejt bileta avioni apo paketa hoteliere, por krahason çmimet nga qindra faqe të tjera dhe u tregon përdoruesve se ku mund të gjejnë ofertat më të favorshme. /Telegrafi/