“Dëgjuam ulurima”, pushuesi polak rrëfen momentet e frikës në hotelin e përfshirë nga zjarri
Dëshmitë e pushuesve hedhin më shumë dritë mbi momentet e para të zjarrit që përfshiu një hotel në Vlorë gjatë orëve të para të mëngjesit.
Një familje nga Polonia, e cila ndodhej brenda hotelit në momentin kur situata u bë e rrezikshme, tregon se gjithçka ndodhi në mes të natës. Sipas dëshmisë së djalit, ata u zgjuan nga zhurmat dhe ulërimat që dëgjoheshin në hotel.
“Në mes të natës, dëgjuam ulërima dhe kjo ishte e gjitha”, tregon ai, duke përshkruar momentet e para kur kuptuan se diçka e rëndë po ndodhte.
Pas zhurmave, familjarët shkuan drejt dritares për të parë se çfarë po ndodhte jashtë.
“Shkuam te dritarja për të parë se çfarë po ndodhte! Bërtitëm për ndihmë dhe kjo ishte e gjitha”, rrëfen pushuesi polak.
Gazetari e pyet më tej se nga cili shtet ishin. “Nga Polonia”, përgjigjet ai, duke konfirmuar se familja kishte ardhur për pushime në Shqipëri.
I pyetur për orën kur ndodhi ngjarja, pushuesi thotë se bëhej fjalë për orët e para të mëngjesit.
“Ishte… mendoj rreth orës 4:00 të mëngjesit. Po, diçka e tillë”, shprehet ai.
Gazetari e pyet nëse në atë moment ndodheshin brenda hotelit. Pushuesi e konfirmon: “Po, ishim”.
Edhe nëna e tij tregon për frikën që përjetuan gjatë atyre momenteve. E pyetur nëse kishin pasur frikë, ajo përgjigjet shkurt, por qartë: “Kishim frikë! Ishte rrezik”.
Dëshmia e familjes tregon panikun që u përjetua brenda hotelit, ndërsa pushuesit u përballën me situatën në mes të natës dhe kërkuan ndihmë nga dritaret.
Ngjarja ka shkaktuar frikë te pushuesit që ndodheshin në hotel, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin shkaqet e zjarrit dhe dinamikën e plotë të ngjarjes./Euronews Albania


