Please enter at least 3 characters.

Debati i madh i Kupës së Botës: A ka ardhur koha të ndalohen penalltitë me ndalesë?

Në listën e gjërave që tradicionalistët e futbollit nuk i pëlqejnë në epokën moderne, ekzekutimi i penalltive me ndalesë gjatë vrapimit drejt topit është një nga temat më të debatuara, krahas zhytjeve dhe përdorimit të VAR-it.

Sipas BBC-së, kjo teknikë është ende e lejuar nga rregullat e FIFA-s. Një lojtar mund të ndalet ose të bëjë sikur ndalon gjatë vrapimit drejt topit, për aq kohë sa ndalesa bëhet menjëherë para goditjes së topit.

Debati u rikthye pas penalltisë së humbur nga Kylian Mbappe në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Marokut. Sulmuesi francez përdori një ndalesë gjatë përgatitjes së goditjes, por u ndal nga portieri maroken Yassine Bounou.

Mbappe nuk është i vetmi futbollist që e ka përdorur këtë mënyrë ekzekutimi. Në mesin e lojtarëve që kanë zgjedhur këtë teknikë janë edhe Bruno Guimaraes, Jørgen Strand Larsen, Lionel Messi dhe Harry Kane.

Sipas statistikave të BBC-së, nga 26 penallti të ekzekutuara me këtë teknikë në këtë Kupë Bote, përfshirë edhe gjuajtjet e penalltive, 15 janë shndërruar në gola, ndërsa 11 kanë dështuar, me një përqindje suksesi prej rreth 57 për qind.

Në anën tjetër, nga 35 penallti të ekzekutuara pa ndalesë, 24 kanë përfunduar në rrjetë, me një përqindje më të lartë suksesi prej 68 për qind.

Marko Arnautovic, Raul Jimenez, Neymar, Mbappe, Cristiano Ronaldo, Yoane Wissa dhe Kai Havertz janë disa nga lojtarët që e kanë përdorur me sukses këtë teknikë në karrierën e tyre.

Megjithatë, kjo Kupë Bote ka qenë një turne i vështirë për ekzekutuesit e penalltive. Sipas të dhënave të publikuara nga BBC, rreth 30 për qind e penalltive të ekzekutuara gjatë kohës së rregullt dhe shtesave kanë përfunduar të humbura, përqindja e dytë më e lartë që nga viti 1966. Kur përfshihen edhe gjuajtjet e penalltive pas barazimeve, kjo shifër shkon në 35 për qind, më e larta në historinë e Botërorit.

Për Mbappen, kjo ishte vetëm penalltia e dytë e humbur me fanellën e Francës. Sulmuesi i Real Madridit ka shënuar 14 nga 16 penallti të ekzekutuara për kombëtaren, ndërsa në nivel klubesh ka realizuar 50 nga 62 tentativa.

Megjithatë, përballë tij këtë herë ishte një specialist i madh i penalltive. Portieri maroken Yassine Bounou ka pranuar vetëm dy gola nga nëntë penallti të përballuara në Kupat e Botës, ndërsa ka bërë katër pritje dhe tre gjuajtje kanë përfunduar jashtë.

Një faktor që mund të ketë ndikuar te Mbappe ishte edhe pritja e gjatë para ekzekutimit. Kontrolli i VAR-it bëri që të kalonin 3 minuta e 12 sekonda nga momenti i akordimit të penalltisë deri te goditja e francezit.

Sipas gazetarit francez Julien Laurens, ndërprerja e ritmit ndikoi te sulmuesi i Francës. “Ishte një ndërprerje e rutinës së tij të zakonshme. Ishte thjesht një penallti e dobët dhe një pritje e lehtë. Bounou është portieri më i mirë i penalltive”, deklaroi ai.

Debati vazhdon: a është ndalesa para penalltisë një pjesë e zgjuarsisë së lojtarëve apo një veprim që duhet të zhduket nga futbolli modern?. /Telegrafi/