Dalin detajet: Cilat klube u 'pasuruan' nga Kupa e Botës për Klube - dy prej tyre fituan mbi 100 milionë
Klubet evropiane pjesëmarrëse në këtë edicion të Kupës së Botës për Klube kanë përfituar më shumë se 62 për qind të totalit të shpërblimeve financiare, ndërsa klubet nga Amerika e Jugut kanë arkëtuar 20 për qind, kryesisht falë paraqitjes së Fluminense në gjysmëfinale. Chelsea dhe Paris Saint-Germain kanë fituar më shumë se 100 milionë euro secila, falë rrugëtimit të tyre deri në finalen e turneut. Përpara zhvillimit të turneut të kësaj vere, FIFA kishte konfirmuar se fondi total i çmimeve për këtë edicion do të ishte 1 miliard euro, nga të cilat 525 milionë euro do të ndaheshin për pjesëmarrjen e ekipeve, ndërsa 475 milionë të tjera do të shpërndaheshin bazuar në performancën e tyre gjatë turneut. Edhe pse nuk është publikuar zyrtarisht shuma që mori secili klub evropian vetëm për pjesëmarrjen, sipas Sports Business Journal, Chelsea, fituese e turneut dhe PSG, si finaliste, përfituan mbi 100 milionë euro secila, duke arkëtuar respektivisht 85 milionë dhe 75 milionë euro për performancën në garë, plus bonuse shtesë. Inter Miami fitoi më shumë se 21 milionë euro pasi arriti deri në fazën e 1/16-ave, ku Lionel Messi dhe shokët e tij u eliminuan nga PSG.


