Cole Palmer te Man United? Trajneri i Chelseas komenton zërat për largimin e yllit anglez
Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka këmbëngulur se Cole Palmer është pjesë e planeve afatgjata të klubit, mes zërave të fundit për një largim të mundshëm.
Palmer realizoi gol në fitoren e Chelseat ndaj Brentfordit në ndeshjen e fundit të Liga Premier, por u la pushim në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Pafos, teksa vazhdon rikuperimin nga një lëndim në ijë.
23-vjeçari ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje në kampionat këtë sezon dhe është paraqitur vetëm një herë në Ligën e Kampionëve, duke shënuar gjithsej pesë gola në këto takime.
Që nga transferimi i tij në Stamford Bridge në verën e vitit 2023, vetëm Mohamed Salah (81), Erling Haaland (78) dhe Ollie Watkins (62) kanë më shumë përfshirje direkte në gola sesa Palmer (59) në elitën e futbollit anglez.
Ditët e fundit, Palmer është lidhur me një transferim të mundshëm te Manchester United, pavarësisht faktit se Chelsea ka ende shanse reale për të fituar tre trofe këtë sezon.
Megjithatë, Rosenior ka hedhur poshtë këto spekulime, duke theksuar se fokusi i tij i vetëm është rikthimi i plotë i anglezit në formën më të mirë.
“Kam pasur shumë biseda me Cole dhe ai duket shumë i lumtur këtu. Ai është shumë i lumtur që është pjesë e këtij klubi”.
“Ai është një pjesë shumë e rëndësishme e planeve tona afatgjata. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe çdo futbollist, gjatë karrierës së tij, kalon periudha të vështira për shkak të lëndimeve”.
“Detyra ime dhe e klubit është ta vendosim në një situatë ku ai të mund të performojë vazhdimisht në nivelin që dëshiron. Kishte frustrim në ndeshjen ndaj Brentfordit, por kjo vinte sepse ai kishte dhimbje dhe nuk mund të luante në nivelin më të lartë të mundshëm”.
“Duhet të kujdesemi për të dhe kjo është arsyeja pse nuk e aktivizova në ndeshjen e fundit”.
“Duhet të kujdesem për lojtarët. Jo vetëm për Cole, por për disa lojtarë në grup, dhe nuk mund t’i detyrojmë të luajnë”.
“Unë dua që në fund të sezonit të jemi të përfshirë në ndeshje të mëdha dhe në kompeticione të mëdha”./Telegrafi


