Çmenduri në Angli, titulli mund të vendoset me rregull të veçantë, si 14 vjet më parë
Gara për titullin në Ligën Premier është futur në fazën më të zjarrtë dhe më të paqartë prej shumë kohësh, ku detaji më i vogël mund të vendos titullin.
Pas fitores 2-1 ndaj Arsenalit në duelin direkt, Manchester City e konfirmoi rikthimin në krye edhe me triumfin minimal në transfertë ndaj Burnleyt, duke marrë vendin e parë – një pozicion që, sipas statistikave, nuk e kishte mbajtur që nga 21 gushti.
Golin vendimtar e realizoi Erling Haaland, i cili i dha Man Cityt tri pikë të arta dhe një avantazh të rëndësishëm në renditje, në një sezon ku çdo detaj po bëhet vendimtar.
Pse Man City është përpara Arsenalit?
Me pesë javë të mbetura, Manchester City dhe Arsenali kanë nga 70 pikë secili dhe goldallim identik, të dy ekipet kanë shënuar 36 gola më shumë sesa kanë pësuar. Por Man City del përpara për shkak të kriterit pasues: numri i golave të shënuar. Manchester City: ka 66 gola, ndërsa Arsenali ka 63 gola.
Në Ligën Premier, renditja përcaktohet kështu: së pari pikët, pastaj goldallimi, më pas golat e shënuar. Vetëm nëse ekipet mbeten të barabarta edhe në këto kritere, merret parasysh bilanci i ndeshjeve “kokë më kokë”.
Edhe aty Man City ka avantazh: ndeshja e parë në “Emirates” përfundoi barazim, ndërsa Man City fitoi takimin e dytë, duke marrë 4 pikë në përballjet direkte ndaj Arsenalit, kundrejt 1 të londinezëve.
Kush ka kalendar më të favorshëm?
Në Angli po diskutohet shumë për orarin e dy pretendentëve. Në këtë pikë, peshon edhe fakti se Arsenali është ende në garë në Ligën e Kampionëve, ku e pret gjysmëfinalja ndaj Atletico Madridit, ndërsa Man City ka gjysmëfinale në FA Cup ndaj Southamptonit (një ndeshje që luhet këtë fundjavë).
Në kampionat, Man City përballet me disa kundërshtarë që synojnë Evropën, si Everton, Brentford dhe Bournemouth (dy prej tyre si mysafir), pastaj Crystal Palace dhe në fund Aston Villan, që lufton për një vend në Ligën e Kampionëve.
Arsenali, nga ana tjetër, në letër ka një orar pak më të lehtë, me kundërshtarë që nuk janë drejtpërdrejt në garë për Evropën apo që janë në fund të tabelës. Mes tyre përmenden Newcastle, Fulham dhe Crystal Palace, ndërsa Burnley tashmë ka rënë nga kategoria. West Ham, që po lufton për mbijetesë, shihet si një nga pengesat më të rrezikshme.
A do të përsëritet viti 2012?
Man City ka dominuar futbollin anglez në 15 vitet e fundit dhe sezoni 2011/12 mbetet një prej më të paharrueshmëve, kur titulli u vendos në javën e fundit, me diferencë golash, pas kthesës dramatike ndaj QPR-së.
Dhe tani, me Man Cityn dhe Arsenalin që janë të barabartë në pikë e goldallim, historia mund të përsëritet: kampioni mund të vendoset sërish nga golat e shënuar – ose nga një detaj që deri në fund mund të duket i pabesueshëm. /Telegrafi/


