Please enter at least 3 characters.

Çarshia e Gjakovës përball shuarjes së zejeve

Çarshia e Madhe e Gjakovës, dikur një nga qendrat kryesore të zejtarisë në Dukagjin, sot po përballet me shuarjen graduale të shumë zejeve tradicionale. Pak zejtarë vazhdojnë t’i ruajnë zanatet e trashëguara, ndërsa autoritetet thonë se po hartohet një plan për konservimin dhe zhvillimin ekonomik të çarshisë.

Dikur, Çarshia e Madhe e Gjakovës ishte një nga qendrat kryesore të zhvillimit ekonomik në rajonin e Dukagjinit, pasi aty funksiononin pothuajse të gjitha zejet tradicionale. Por sot, shumë prej dyqaneve ku dikur shiteshin produkte të punuara me dorë janë shndërruar në lokale e kafiteri.

Një nga zejtarët që, përkundër sfidave të shumta, ka arritur ta mbajë gjallë zejen e trashëguar nga të parët e tij, është Ruzhdi Qarri. Ai vazhdon të merret me punimin tradicional të djepave.

“Me zor ia dalim prej muajit në muaj. Unë vazhdoj të punoj djepa, por kërkesa është shumë e vogël. Për ta mbajtur hapur dyqanin, kam nisur të punoj edhe disa produkte moderne prej druri. Ato po kërkohen, sidomos tash që janë hapur edhe kafiteri tradicionale, dhe kështu po arrijmë të mbijetojmë”, tha Ruzhdi Qarri, zejtar në Çarshinë e Gjakovës.

Me të njëjtat vështirësi, në Çarshinë e Gjakovës vazhdon të funksionojë edhe zeja e saraçit. Kërkesat për blerjen e pajisjeve dhe veshjeve për kuaj vijnë më shumë nga turistët sesa nga vendasit.

Ndërkohë, zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Nora Arapi, thotë se një ekip ekspertësh të trashëgimisë kulturore është duke hartuar planin për konservimin dhe menaxhimin e Çarshisë së Gjakovës.

“Jemi duke e punuar planin për konservimin dhe menaxhimin e Çarshisë së Gjakovës. Përpos investimit në infrastrukturë, ideja është që të bëhet një plan gjithëpërfshirës se si të ruhet dhe të zhvillohet, duke ndërthurur ruajtjen e trashëgimisë kulturore me zhvillimin ekonomik të shoqërisë”, tha Nora Arapi, zëvendësministre në detyrë e Kulturës.

Shuarjen e zejeve që dikur e identifikonin Çarshinë e Gjakovës e dëshmojnë më së miri dyqanet e mbyllura. Madje, në shumë raste, mungon edhe interesimi për marrjen e tyre me qira. Çarshia e Gjakovës daton që nga shekulli XV, ndërsa zejtaria në të kishte arritur kulmin e zhvillimit në fund të shekullit XVII. Sot, ruajtja e pak zejeve të mbetura dhe rikthimi i funksionit tradicional të kësaj çarshie mbeten ndër sfidat kryesore për të ardhmen e saj./RTK