Please enter at least 3 characters.

Capello: De Bruyne dhe McTominay si Gerrard e Lampard – nuk mund të luajnë bashkë

Analisti Fabio Capello ka krahasuar situatën e Antonio Contes te Napoli me përplasjet e tij të dikurshme për të bërë bashkë Frank Lampard dhe Steven Gerrard gjatë kohës kur drejtonte Anglinë (2007–2012).

Pavarësisht një nisjeje të fortë të sezonit 2025/26 – me katër fitore radhazi në kampionat – Napoli ka rënë dukshëm në javët e fundit, duke humbur tre nga pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Kulmi erdhi me humbjen e rëndë 6-2 ndaj PSV Eindhoven në Ligën e Kampionëve mbrëmjen e së mërkurës.

Sipas mediave italiane, përfshirë “La Gazzetta dello Sport”, Conte po has vështirësi për të gjetur ekuilibrin e duhur mes yllit të ri Kevin De Bruyne dhe MVP-së së Serie A, Scott McTominay.

Sistemi 4-1-4-1 që tekniku italian ka përdorur për t’i futur të dy në të njëjtin formacion ka dhënë rezultate vetëm kur të gjithë mesfushorët kryesorë – De Bruyne, McTominay, Anguissa dhe Lobotka – kanë qenë në dispozicion, gjë që nuk ka ndodhur shpesh së fundmi.

Capello theksoi se mungesat për shkak dëmtimesh kanë ndikuar ndjeshëm, por nuk janë i vetmi problem që përballet Conte.

Steven Gerrard dhe Frank Lampard

“Hojlund është një mungesë e madhe, ashtu si edhe Rrahmani e Lobotka. Është e vështirë të ruash ekuilibrin pa boshtin e mesfushës”.

“Por kjo nuk është e vetmja çështje e Napolit. Faza mbrojtëse është problematike. Kundër PSV pashë gabime që ky ekip nuk do t’i bënte kurrë sezonin e kaluar. Po ashtu, duhet bërë një zgjedhje e qartë në portë mes Milinkovic dhe Meret”.

Duke folur për mesfushën, Capello krahasoi dyshen De Bruyne me McTominay, me Gerrard – Lampard ku shtoi se nuk përshtaten bashkë.

“Sa më shumë kalon koha, aq më shumë më duket se bashkëjetesa mes De Bruyne dhe McTominay është e vështirë për t’u realizuar në praktikë”.

“Kimia mes lojtarëve të mëdhenj nuk është diçka që duhet marrë si e mirëqenë. McTominay dhe De Bruyne më kujtojnë Gerrard dhe Lampard në skuadrën time të Anglisë – dy ‘numra një’, që të gjithë i kishin zili, por në fushë shpesh i shkelin këmbët njëri-tjetrit”./Telegrafi