Çanta Birkin - ‘kutia e shenjtë’ e modës, u shit për 10 milionë dollarë
Imagjinoni të blini një çantë, jo sepse ju duhet, por sepse mbart shpirtin e një epoke, ADN-në e stilit të një ikone dhe statusin e simbolit që për dekada i ka rezistuar çdo trendi. Një çantë e tillë, origjinal i Jane Birkin, sapo është shitur për një shumë marramendëse prej 10 milionë dollarësh
Ndërsa Parisi gumëzhin nga emocioni i Javës së Modës Haute Couture, shtëpia e ankandeve Sotheby’s bëri lëvizjen e dekadës në botën e modës, nxori në ankand prototipin origjinal të çantës më të famshme në botë. Bëhet fjalë për modelin e parë që shtëpia luksoze Hermès e punoi në vitin 1984 për aktoren dhe këngëtaren e njohur Jane Birkin.
Një ikonë stili e lindur në avion
Kjo çantë nuk lindi në një studio dizajni, por krejt rastësisht, në avion. Gjatë një udhëtimi nga Parisi për në Londër, Jane u përpoq të ngrinte shportën e saj të preferuar të thurur nga Portugalia në raftin mbi sedilje, por dera u hap dhe të gjitha gjërat u derdhën në kabinë. Pranë saj ishte ulur Jean-Louis Dumas, asokohe drejtor ekzekutiv i Hermès. Duke parë skenën, i tha: “Duhet të keni një çantë që i mban të gjitha këto.” Ajo iu përgjigj: “Atëherë bëjeni - si gjysmë valixhe!” Dhe ai e bëri.
Në pjesën e pasme të një qeseje avioni e skicuan idenë me dorë. Një vit më vonë, Jane mbajti në duar një çantë lëkure të zezë që do të ndryshonte përgjithmonë standardet e modës, transmeton Telegrafi.
Ankandi që fshiu kufirin mes modës dhe mitit
Çanta, e realizuar sipas asaj skice dhe e përdorur nga Jane Birkin për nëntë vite, ka gjetur tashmë një pronar të ri. Në një ankand në Paris, ky artefakt mode u shit për plot 10 milionë dollarë. Blerësi i ri është një koleksionist nga Japonia që bëri ofertën përmes telefonit dhe mbeti anonim. Oferta e tij ishte dyfish më e lartë se çmimi fillestar, ndërsa gara zgjati vetëm rreth dhjetë minuta.
Çanta ruhet ende në gjendjen e saj origjinale, të përdorur, me gjurmë të dukshme të jetës së përditshme. Brenda saj janë lënë madje edhe mbetjet e copëzave të thonjve që Birkin i kafshonte, ndërsa në rrip varen akoma etiketat e vjetra. Inicialet J.B. në kapak i japin edhe më shumë vlerë emocionale.
Kush nuk e ka ëndërruar?
“Birkin” ndër vite është shndërruar në “kutinë e shenjtë” të aksesorëve të modës. Disa nga pronarët më të njohur të saj janë Jimmy Choo (me 200 çanta), Victoria Beckham (mbi 100), Kim Kardashian (më shumë se 30), si dhe Cardi B, Lady Gaga, Paris Hilton, madje edhe Jeffrey Star. Por prototipi? Ai ka qenë gjithmonë i paarritshëm.
Tani, 40 vjet pas lindjes së saj, kjo çantë e veçantë po ndryshon kontinent dhe pronar. Nga një ikonë stili, në një donacion humanitar (Jane e dhuroi për luftën kundër AIDS-it në vitin 1994), ajo ka mbërritur në destinacionin e ri të koleksionistit - Japoninë.
Pse “birkin” vlen miliona?
Sepse nuk është thjesht një çantë. Është histori, një tregim për një grua që nuk e kërkoi kurrë glamurin, por e rishkroi atë. Birkini simbolizon forcën e thjeshtësisë, rehatinë dhe autenticitetin dhe për këtë arsye do të mbetet gjithmonë në majë të mitologjisë së modës. /Telegrafi/


