Please enter at least 3 characters.

Bulliqi ngushëllon familjen Matarova pas vdekjes së dy vëllezërve në aksidentin në Surkish

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shprehur ngushëllime për familjen Matarova pas vdekjes së dy vëllezërve, Bujar dhe Hajdar Matarova, në një aksident të rëndë trafiku në fshatin Surkish.

Aksidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:30, ndërsa sipas Policisë së Kosovës, dy persona kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së dy automjeteve.

Përmes një postimi në Facebook, Bulliqi ka shprehur dhimbjen për rastin dhe u ka përcjellë ngushëllime familjarëve, miqve dhe të afërmve të viktimave.

“Me dhimbje të madhe mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të dy vëllezërve, Bujar dhe Hajdar Matarova”, ka shkruar Bulliqi.

“Në këto momente të rënda u shprehi ngushëllime familjes Matarova, miqve dhe të afërmve. U prehshin në paqe dhe qofshin të parajsës!”, ka shtuar ai.

Sipas Policisë, një vozitës mashkull kosovar, derisa ishte duke drejtuar një veturë me targa të huaja, dyshohet se nga pakujdesia ka goditur një automjet tjetër të drejtuar nga një mashkull kosovar.

Si pasojë e aksidentit, vozitësi dhe pasagjeri që ndodheshin në veturën me targa të huaja kanë vdekur.

Vozitësi i veturës tjetër, pas marrjes së tretmanit mjekësor, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Trupat e pajetë të dy viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga organet kompetente. /Telegrafi/