Bruno Fernandes sulmon ashpër legjendën e Man Utd për "gënjeshtrën"
Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka shpërthyer ndaj legjendës së klubit, Roy Keane, duke e akuzuar publikisht se ka “gënjyer” dhe i ka shtrembëruar fjalët lidhur me komentet për rekordin e asistimeve në Ligën Premier.
Mesfushori portugez reagoi pas kritikave të forta të ish-kapitenit të “Djajve të Kuq”, i cili pretendoi se Fernandes ishte më i fokusuar te statistikat personale sesa te suksesi i skuadrës.
Keane, në podcastin “The Overlap”, deklaroi se Bruno kishte pranuar pas ndeshjes me Nottingham Forest se kishte zgjedhur të pasonte në vend që të gjuante vetëm për të arritur rekordin e asistimeve.
Por Fernandes këmbëngul se deklaratat e tij janë interpretuar gabimisht dhe se ai nuk ka thënë kurrë diçka të tillë.
“Gjithmonë kam pranuar kritikat dhe nuk kam problem me to. Por nuk më pëlqen kur njerëzit gënjejnë për atë që kam thënë. Në këtë rast, ajo që tha Roy Keane është gënjeshtër. Ose ka parë një intervistë tjetër, ose po më vendos fjalë në gojë që nuk i kam thënë kurrë”, deklaroi Fernandes në podcastin “The Diary of a CEO”.
Deklarata reale e portugezit pas fitores 3-2 ndaj Nottingham Forest ishte: “Ndoshta në disa momente duhej të kisha pasuar në vend që të gjuaja. Jam shumë i lumtur për asistin, por më shumë për fitoren dhe mënyrën si e mbyllëm sezonin”.
Fernandes theksoi se respekton Keane për historinë dhe kontributin e tij te Manchester United, por nuk pranon që t’i deformohen fjalët.
“E respektoj Roy Keane për gjithçka që ka bërë për këtë klub. E pranoj kritikën, edhe kur nuk më pëlqen. Por nuk pranoj që dikush të shpikë deklarata që nuk i kam bërë”, shtoi ai.
Kapiteni i United zbuloi gjithashtu se i kishte kërkuar Ole Gunnar Solskjaer numrin e telefonit të Keane për të sqaruar situatën privatisht.
“Madje i kërkova Oles numrin e tij për t’i shkruar dhe për t’i thënë se nuk kam problem me kritikat, por kam problem kur më shtrembërohen fjalët”, tha Fernandes.
Portugezi zhvilloi një sezon fantastik me Manchester United, duke udhëhequr skuadrën drejt vendit të tretë në Ligën Premier dhe rikthimit në Ligën e Kampionëve.
Ai regjistroi 21 asistime dhe nëntë gola në kampionat, duke vendosur rekord të ri për asistimet në një sezon të vetëm në elitën angleze, duke kaluar Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne.
Forma e tij u shpërblye edhe me çmimet “Lojtari i Vitit” nga Shoqata e Gazetarëve të Futbollit dhe “Lojtari i Sezonit” në Ligën Premier.
Ndërkohë, Keane vazhdoi thumbimet edhe pas reagimit të Fernandes, duke publikuar në rrjetet sociale një ilustrim të një gomari me mbishkrimin: “Shumë vëmendje e bën gomarin të mendojë se është luan”, postim që u interpretua si një mesazh indirekt për mesfushorin portugez. /Telegrafi/


