Botërori 2026 gatuan një finale të parakohshme: Messi dhe Ronaldo mund të përballen nëse realizohet ky skenar
Sot (e premte) në Uashington të SHBA-ve u hodh shorti për Kupën e Botës, që për herë të parë do të mbahet në tri shtete – SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Lionel Messi me Argjentinën dhe Cristiano Ronaldo me Portugalinë duket se janë në rrugë drejt një përballjeje të mundshme në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet në Kansas City në korrikun e ardhshëm.
Ronaldo ishte pezulluar automatikisht për tre ndeshje pas një kartoni të kuq në një takim kualifikues kundër Irlandës, por Gianni Infantino dhe FIFA morën një vendim të debatueshëm duke shtyrë dy nga tre ndeshjet e pezullimit.
Kjo bën që kapiteni i Portugalisë të jetë i gatshëm të luajë menjëherë në Grupin K, ku portugezët janë favoritë për të dalë të parët ndaj Kolumbisë, debutuesve Uzbekistan dhe njërit prej fituesve të ‘play-off’-it mes Xhamajkës, Kaledonisë së Re dhe Republikës Demokratike të Kongos.
Nëse Portugalia e fiton grupin, ata do të përballen me një skuadër të vendit të tretë në fazën e 1/32-ve më 3 korrik në Kansas City.
Ndërkohë, Argjentina u shortua në Grupin J së bashku me Algjerinë, Austrinë dhe Jordaninë.
Kampionët në fuqi janë favoritë të qartë për të dalë të parët dhe kështu do të kishin përballë vendin e dytë të Grupit H (Spanjë, Kepi i Gjelbër, Arabia Saudite dhe Uruguai).
Albicelestët do të duhet gjithashtu të fitojnë ndeshjen e tyre të 1/16-ve në Atlanta më 7 korrik për të siguruar një vend në çerekfinale.
Ky turne shënon Kupën e Botës së gjashtë radhazi ku do të marrin pjesë si Messi ashtu edhe Ronaldo dhe meqë të dy janë në vitet e fundit të karrierave të tyre legjendare, kjo mund të jetë hera e fundit që dy ikonat mund të përballen në një ndeshje të Botërorit./Telegrafi/


