Please enter at least 3 characters.

Bizneset e Kosovës dhe Italisë drejt rritjes së bashkëpunimit ekonomik

Në organizim të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë është organizuar takimi mes shoqatave të biznesit nga Kosova me presidentin e Konfederatës së Sindikatave të Punëdhënësve për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme - Confimprese Italia, Guido D’amico, i shoqëruar nga Muharrem Salihu, president i Confimprese Venice-Itali.

Në këtë takim morën pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe drejtori ekzekutiv i Dhomës Ekonomike të Britanisë në Kosovë, Bekim Kastrati.

Në njoftim thuhet se ky takim është pjesë e angazhimeve të mëhershme të DHTIK-së me Confimprese Italia, për të rritur bashkëpunimin mes Kosovës dhe Italisë.

Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi, ka thënë se angazhimi i shoqatave të biznesit në Kosovë është që të zhvillohet ekonomia, të rriten investimet e huaja, të shtohet prodhimi dhe të ketë më shumë eksport, pasi aktualisht vendi është i ngufatur nga importet e shumta.

Nga ana tjetër kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna deklaroi se bizneset e Kosovës janë të interesuara dhe të përgatitura për rritje të bashkëpunimit dhe eksporteve drejtë Italisë.

Kurse drejtori ekzekutiv i Dhomës Ekonomike të Britanisë në Kosovë (BCCK), Bekim Kastrati, theksoi rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet komuniteteve të biznesit, duke vlerësuar se bashkëpunimi ekonomik ndërkombëtar përbën një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike, inovacionit dhe konkurrueshmërisë.

Në takim është diskutuar në lidhje me organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, duke përfshirë edhe organizimin e takimeve B2B dhe ato të natyrës sektoriale.

Tutje thuhet në njoftim se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2025 vlera e mallrave të eksportuara për në Itali ishin rreth 28.9 milionë euro, kurse importi ishte 369.4 milionë euro, ndërkohë që investimet nga Italia për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, ishin 8.9 milionë euro. /Telegrafi/