Bisedimet për sportin, çelës për ndërkombëtarizimin
Drejtuesit e Federatave sportive të Kosovës e kanë mirëpritur deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili siguroi se në njërin prej takimeve të radhës me homologun e tij serb, Ivica Dacic në Bruksel, do ta shtrojë në tavolinë edhe çështjen e sportit kosovar, i cili mbetet peng i politikës tash e sa vite.
Madje, Thaçi është dukur optimist se do të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që sporti kosovar të përfaqësohet sa më shpejt në arenën ndërkombëtare.
E ky lajm padyshim i ka gëzuar drejtuesit e Federatave, të cilët e konsiderojnë këtë si çelës drejt pranimit të tyre në Federatat përkatëse ndërkombëtare.
“Është mirë që sporti do të futet në bisedimet në mes të të dyja palëve. Kërkesa e jonë duhet të jetë konkrete dhe mos të lëshojmë pe, sikur në sferat tjera. Karta olimpike është e qartë: sporti është për paqe, afrim të popujve dhe njerëzve dhe nuk shoh asnjë arsye që Serbia të qojë pluhur dhe zhurmë dhe të na pengojë”, deklaroi kryetari i ri i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu.
Për dallim prej disa Federatave ndërkombëtare, të cilat e kushtëzojnë pranimin e Federatave të reja me të qenit pjesë e atij shteti në OKB, e që Kosova në këtë rast nuk është, shtëpia e basketbollit kosovar do ta ketë më lehtë. Këtë e shpjegon më mirë kreu i ri i FBK-së.
“FIBA i ka rregullat më të lehta pasi thotë se një shtet duhet të jetë i pranuar ndërkombëtarisht, për t’u bërë pjesë e saj. Pastaj, ekziston edhe një mundësi, që ceket në nenin 7,3 të FIBA-s, që shteti i cili vjen nga regjioni e që është duke u pranuar, që është në proces (Kosova), mund të bëhet pjesë e FIBA-s nëse Federata amë (që e konsiderojnë Serbinë) jep leje. Ne po flasim për një fqinjësi të mirë, që të funksionojmë së bashku, prandaj Serbia duhet të lëshojë pe dhe ta lejojë anëtarësimin e FBK-së në FIBA”, deklaroi për Express, Belegu, i cili e ka marrë urimin e parë nga FIBA, përkatësisht nga drejtori sportiv Lubomir Kotleba, për zgjedhjen president i ri i FBK-së.
Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) është një hap përpara pjesës tjetër të Federatave, pasi që është e pranuar me të drejta të kufizuara në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), vite më parë.
Mirëpo, kanë kaluar goxha do vite dhe nuk ka pasur asnjë lëvizje dhe përfaqësuesja e Kosovës ka mbetur peng, pasi nuk mund të zhvillojë ndeshje zyrtare.
Prandaj, kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini beson se futja e sportit në bisedimet Kosovë-Serbi, mund ta përshpejtojë ndërkombëtarizimin e sportit të këtushëm.
“Krahas përpjekjeve të cilat i bën FHK për t’u pranuar me të drejta të plota në EHF e IHF, natyrisht që kemi zhvilluar biseda edhe me Ministrinë e Jashtme e me Kryeministrin, ku është shtuar nevoja për takimet e tyre me homologët nga vendet që na kanë pranuar e me Komisionin Evropian, në mënyrë që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Federatave të Kosovës në ato ndërkombëtare”, tha fillimisht Saraçini.
“Kjo ka funksionuar, sepse janë bërë lobime e fushata, ndërsa tash kemi një situatë shumë më të volitshme. Ne shpresojmë të kemi rezultate qysh në Kongresin e radhës të IHF-it, që do të mbahet në Katar”, u shpreh ai.
Për dallim prej basketbollit dhe hendbollit, drejtuesit e futbollit kosovar nuk është se prisnin shumë nga futja e sportit në bisedimet Kosovë-Serbi.
Krerët e FFK-së nuk e shohin të nevojshëm që të bisedohet me Serbinë, në këtë rast për futbollin, pasi konsiderojnë se nuk kanë punë me shtetin fqinj. Por, nëse bisedimet sjellin rezultat për sportin në përgjithësi, ata i mirëpresin këto diskutime.
“Është mirë që edhe sporti do të futet në diskutime. Por, ju e dini deklaratën e kryetarit Vokrri. Ne nuk kemi lidhje me drejtuesit e futbollit serb dhe është absurde t’i pyesim apo të bisedojmë me ta. Ne jemi Federatë në vete që nga viti 1946 dhe deri në kohën e Millosheviqit nuk i kemi pyetur e as biseduar me ta kurrë, pasi ishim pjesë e barabartë me ta. Në periudhën 1991-99 jemi shkëputur edhe nga liga jugosllave. Çfarë logjike ka që tash pas Pavarësisë t’i faktorizojmë ata?”, thotë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
“Ne vetëm do ta përdorim dhe do të bazohemi tek neni 14 i marrëveshjes së Brukselit, i cili i obligon të dyja vendet të mos e pengojnë njëra tjetrën. Megjithatë, është mirë që të sigurohemi një herë e përgjithmonë që Serbia të mos ketë kurrfarë dore në sportin kosovar. Shpresoj që ky rezultat të nxirret pas këtyre bisedimeve”, vijoi Salihu, dikur futbollist i njohur kosovar.
Për dallim prej viteve të kaluar, shteti ka filluar t’i kushtojë vëmendje dhe kujdes më të madh sportit. Kohëve të fundit është folur edhe në Parlament për sportin, ndërsa tash do të futet edhe në bisedimet me Serbinë. Kjo jep shpresë që sportit kosovar t’i hapen dyert drejt Evropës e botës në një të ardhme të afërt. /Express/Telegrafi/


