Bien temperaturat, shi e më pas borë edhe në zonat e ulëta
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se nga e enjtja deri të shtunën, parashihet depërtimi i një mase të ftohtë ajrore me origjinë veriore, e cila do të stabilizojë një regjim termik dukshëm më të ulët dhe do të gjenerojë kushte për mot të vranët dhe me reshje.
IHK njofton se në zonat malore priten reshje të vazhdueshme bore, ndërsa në ultësira reshjet fillimisht do të paraqiten në formë të rigave të dobëta shiu, të cilat me rënien progresive të temperaturave do të transitojnë gradualisht në reshje bore.
Si rrjedhojë, edhe në disa zona të ultësirave priten intervale të shkurtra me reshje bore, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes të së enjtes dhe të premtes, varësisht intensitetit të masës së ftohtë dhe profilit termik të shtresës së ulët të atmosferës. /Telegrafi/


