BDI: Qeveria i tërheq 6 milion euro të siguruara për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina”
Ish-Zëvendësministri për Transport dhe Lidhje nga radhët e BDI-së, Bekim Rexhepi sot kritikoi vendimin për ridestinimin e 6 milionë eurove për bulevardin “Hasan Prishtina”.
Rexhepi thotë se nuk ka kuptim që këto mjete të shkojnë për rrugën nëntokësore në bulevardin jugor, ndërsa nga ana tjetër të promovohet vazhdimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë.
"Ky nuk është projekt i ri dhe as premtim elektoral. Në vitin 2023, Ministria e Transportit dhe Qyteti i Shkupit formuan komision të përbashkët për hartimin e planit urbanistik. Plani u përgatit, u dakordua dhe u miratua. Parashihej ndërtimi dhe zgjerimi i Bulevardit “Hasan Prishtina”, si një aks i rëndësishëm për lidhjen e Shkupit me Bllacën dhe Kosovën. Gjatë qeverisjes BDI–LSDM, për këtë projekt u siguruan 6 milionë euro mjete të dedikuara. Pra, projekti ishte planifikuar, plani ishte miratuar dhe paratë ishin siguruar. Por sot, Qeveria OBRM-PDUKM–VLEN i ka ridestinuar këto 6 milionë euro për një projekt tjetër – rrugën nëntokësore në Bulevardin Jugor".
"Dhe kjo ndodh në të njëjtën kohë kur Qeveria organizon ceremoni për vazhdimin e autostradës Shkup–Bllacë. Prandaj pyetja është e thjeshtë: Çfarë kuptimi ka autostrada drejt Bllacës, nëse rruga që duhet ta lidhë atë me Shkupin mbetet në gjendjen aktuale, me ngushtica, kolona dhe kaos të përditshëm? Nuk mund të ndërtohet autostrada drejt Bllacës dhe, në të njëjtën kohë, të hiqen paratë nga rruga që duhet ta lidhë atë me Shkupin. Prandaj BDI pyet publikisht: Pse po sakrifikohet Bulevardi “Hasan Prishtina”?", tha Rexhepi.


