BDI: Pranimi i VLEN-it se është "tmerrësisht i dobët" në Qeveri, është alarm për çdo shqiptar
Nga BDI thonë se pranimi publik nga përfaqësues të VLEN-it se janë “tmerrësisht të dobët” brenda Qeverisë nuk është arsyetim, por dëshmi e dështimit të plotë politik.
Sipas tyre, në një kohë kur rajoni po ecën përpara, Maqedonia e Veriut po mbetet gjithnjë e më e izoluar, ndërsa pozita politike dhe institucionale e shqiptarëve po degradohet çdo ditë.
"Përfaqësimi po zvogëlohet, gjuha shqipe po përjashtohet, institucionet po mbyllen për shqiptarët dhe çdo arritje e ndërtuar ndër vite po vihet në pikëpyetje. VLEN-i nuk mund të arsyetohet me forcën e OBRM-PDUKM-së. Qytetarët kanë të drejtë të pyesin: nëse jeni kaq të dobët, përse vazhdoni të qëndroni në Qeveri dhe kujt po i shërben pjesëmarrja juaj?".
"Në të njëjtën kohë, opinioni publik kërkon përgjigje serioze për akuzat gjithnjë e më të shpeshta për përqendrimin e ndikimit ekonomik, tenderëve dhe interesave të biznesit rreth rrethit të ngushtë familjar e politik të Izet Mexhitit në Shkup dhe më gjerë. Këto dyshime duhet të marrin përgjigje transparente dhe institucionale. Ky kombinim i dobësisë politike, degradimit të pozitës së shqiptarëve dhe dyshimeve për përfitime private është alarm që duhet ta mobilizojë secilin qytetar", thonë nga BDI.


