Please enter at least 3 characters.

Bayern Munich merr vendim për Arijon Ibrahimovicin - Kompany ka vendosur për të ardhmen e tij

Bayern Munich ka vendosur të integrojë në ekipin e parë sulmuesin e ri Arijon Ibrahimovic për sezonin e ri. Futbollisti 20-vjeçar do të jetë pjesë e planeve të trajnerit Vincent Kompany, pas një periudhe huazimi te 1. FC Heidenheim.

Sulmuesi me prejardhje shqiptare i cili është pjesë e Bayern Munich që nga viti 2018, ka kontratë me klubin bavarez deri më 30 qershor 2028 dhe në sezonin e ardhshëm do të mbajë fanellën me numrin 22, ka njoftuar klubi gjerman.

Talenti i rritur në akademinë e Bayern ka kaluar një rrugëtim gradual drejt ekipit të parë. Ai iu bashkua klubit në moshën 12-vjeçare, pasi erdhi nga akademia e 1. FC Nürnberg, dhe më pas u zhvillua përmes ekipeve të të rinjve dhe huazimeve të planifikuara.


Drejtori sportiv i Bayern, Christoph Freund, vlerësoi progresin e futbollistit, pas disa huazimesh.

“Arijoni iu bashkua Bayernit kur ishte 12 vjeç. Ai ka përparuar hap pas hapi përmes akademisë sonë dhe huazimeve të menduara mirë. Sidomos gjatë vitit të fundit te Heidenheim, ai ka mësuar shumë si lojtar dhe si person për të qenë gati për Bayernin. Zhvillimi i tij është një shembull i mundësive që u japim talenteve tona. Tani nuk bëhet më vetëm fjalë për të mësuar, por për të lënë gjurmë te Bayern”, deklaroi Freund.

Ibrahimovic bëri debutimin me ekipin e parë të Bayernit në shkurt të vitit 2023, në moshën vetëm 17-vjeçare, në ndeshjen ndaj VfL Bochum.

Gjatë sezonit të fundit te Heidenheim, ai zhvilloi 34 paraqitje zyrtare, duke shënuar 2 gola dhe duke dhënë 5 asistime. Përpara kësaj periudhe, ai kishte fituar eksperiencë edhe në kampionatin italian me Frosinone dhe Lazio.

Në nivel ndërkombëtar, Ibrahimovic ka debutuar edhe me Gjermaninë U-21 në nëntor dhe ka dy paraqitje.

Ai shihet me sy të mirë edhe nga FFK, ku ka zhvilluar bisedime për afrimin e tij te Kombëtarja e Kosovës. /Telegrafi/