Please enter at least 3 characters.

Banorët e lagjeve Tuneli i Parë dhe Rekë ankohen për mungesë të energjisë elektrike dhe ujit të pijes

Banorët e lagjeve Tuneli i Parë dhe Rekë të Mitrovicës janë ankuar për mungesë të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë të pijes në 24 orët e fundit.

Kryetari i Këshillit të lagjes Tuneli i Parë, Arsim Musa, ka thënë se nga dje në këto dy lokacione është ndërprerë energjia elektrike gjithsej tetë herë, shkruan Telegrafi.

“Po ashtu, edhe furnizmi me ujë nga ora 06:00 e mengjesit ende nuk kemi, pa ndonjë njoftim të qartë ose zgjidhje nga ana juaj”, ka thënë Musa.

Musa ka thënë se pavarësisht përpjekjeve për t’i kontaktuar këto shërbime, nuk kanë marrë një përgjigje ose sqarim mbi këtë situatë.

“Kjo mungesë e shërbimeve bazë po ndikon negativisht në jetën dhe mirëqenien time dhe të familjes sime. Ju lutem që të trajtoni këtë çështje urgjentisht dhe të më njoftoni mbi arsyet e ndërprerjes dhe kohën e rikthimit të shërbimeve”, është shprehur ai.

Sipas tij, nëse nuk merret masa brenda një afati të arsyeshëm, do të jetë i detyruar të paraqes një ankesë pranë institucioneve përkatëse dhe mekanizmave mbrojtës të konsumatorit. /Telegrafi/