Please enter at least 3 characters.

Banorët e Gadimes së Lipjanit kërkojnë nga komuna mirëmbajtjen e hapësirave publike

Banorët e fshatit Gadime të Lipjanit prej disa muajsh po kërkojnë nga komuna kositjen e barit në hapësira publike dhe pastrimin e lumit që kalon afër shtëpive të banimit.

Sipas banorëve, komuna nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre, andaj kanë shprehur shqetësimin se mund të përballen edhe me insekte të ndryshme të cilat po shfaqen herë pas here.

Árgjent Tasholli, banor nga ky lokalitet, ka thënë për Telegrafin se shpeshherë po vërehen edhe gjarpinj të cilët po shfaqen afër shtratit të lumit dhe në hapësira publike të cilat nuk po mirëmbahen nga askush.

Sipas tij, as hapësira përgjatë shpellës së Mermert nuk po mirëmbahet dhe nuk po kositet bari.

“Gadimja nuk po mirëmbahet nga Komuna e Lipjanit. Shpella e Gadimes, një nga pasuritë natyrore më të veçanta të Kosovës dhe një atraksion turistik me vlerë të madhe, shpeshherë ka qenë e lënë pas dore nga institucionet, përfshirë edhe Komunën e Lipjanit. Qytetarët jemi të shqetësuar dhe të rrezikuar nga insektet e ndryshme sepse bari nuk po kositet në asnjë hapësirë publike, pastaj po përballemi edhe me kundërmim të erës nga rrjedha e lumit”, ka kritikuar Tasholli.

Ai shpjegon se shpeshherë banorët kanë kërkuar shërbime nga komuna për mirëmbajtjen e hapësirave publike, por deri më tash nuk ka lëvizur asgjë konkrete.

“Prej disa muajve jemi duke u përballur me këtë gjendje, andaj kërkojmë nga komuna t’i shqyrton kërkesat dhe ankesat e banorëve lidhur me mirëmbajtjen dhe kositjen e barit nëpër hapësira publike dhe pastrimin e shtratit të lumit”, ka thënë Tasholli.

Në anën tjetër, Komuna e Lipjanit, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me shqetësimet e banorëve të këtij lokaliteti./Telegrafi/