Please enter at least 3 characters.

Bajrami reagon pas rezultatit zgjedhor të LDK-së

Pas publikimit të rezultateve zgjedhore, kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër duke kritikuar qeverisjen pesëvjeçare dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.

Në një reagim publik, Bajrami ka ironizuar fitoren e kundërshtarëve politikë, duke theksuar se zgjedhjet janë fituar, sipas saj, “pa asnjë sukses për pesë vjet qeverisje”.

Ajo ka përmendur një sërë kritikash, përfshirë praninë e zyrtarëve nën aktakuza, korrupsionin, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, përkeqësimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe kapjen dhe nepotizmin në institucione.

Bajrami ka përmendur gjithashtu shkelje të përsëritura të Kushtetutës, inflacion dyshifror dhe atë që e ka quajtur “mafi energjetike”, duke e cilësuar gjithë këtë si një realitet shqetësues për vendin.

Duke iu drejtuar elektoratit, ajo ka theksuar se tani është koha për përgjegjësi, si për ata që votojnë, ashtu edhe për ata që qeverisin. Bajrami ka shprehur edhe keqardhje ndaj votuesve dhe strukturave të LDK-së për, siç e quajti ajo, dëshpërimin pas rezultatit.

Megjithatë, deputetja e LDK-së ka shprehur mirënjohje për besimin dhe përkushtimin e mbështetësve të partisë, duke theksuar se ata janë arsyeja pse LDK-ja vazhdon të mbetet e gjallë dhe e fortë. Ajo ka theksuar se angazhimi i saj politik ka qenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve, në rritjen e LDK-së dhe në interes të shtetit.

Në përfundim, Bajrami ka theksuar se LDK nuk do të ndalet dhe se, sipas saj, partia “duhet dhe do të rikthehet e para”, përmes punës, besimit dhe një ekipi të fortë.