Arbeloa ka folur për të ardhmen e Vinicius Junior te Real Madridi dhe përforcimet e mundshme
Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka deklaruar se shpreson që klubi dhe Vinicius Junior të arrijnë një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit, mes spekulimeve të vazhdueshme rreth së ardhmes së sulmuesit brazilian.
Rinovimi i kontratës së Vinicius, i pezulluar që nga vera e kaluar, ka qenë një nga temat kryesore të diskutimit gjatë këtij sezoni.
Pas largimit të Xabi Alonsos, raportimet nga Spanja bëjnë të ditur se Vinicius është sërish i hapur për të nënshkruar një kontratë të re me “Los Blancos”.
Agjenti i lojtarit ndodhet aktualisht në Madrid, megjithatë deri më tani nuk ka sinjale konkrete për përparim në negociata.
I pyetur nga mediat nëse do të dëshironte që Vinicius të rinovonte kontratën, Arbeloa u shpreh i rezervuar, por optimist:
“Nuk varet nga unë, është çështje mes klubit dhe lojtarit. Sigurisht, shpresoj që ai të vazhdojë të bëjë histori këtu”.
Arbeloa shmang diskutimet për përforcime
Në vazhdim, Arbeloa u pyet disa herë nëse mendon se skuadra ka nevojë për përforcime apo nëse Real Madridi planifikon lëvizje në tregun e transferimeve.
Trajneri spanjoll zgjodhi të mos hyjë në detaje, duke theksuar besimin e plotë te grupi aktual i lojtarëve.
“Kam një skuadër të jashtëzakonshme. Nëse na mungon diçka, kemi një akademi të shkëlqyer të të rinjve, ashtu siç ka qenë gjithmonë në historinë e Real Madridit”, ka thënë Arbeloa.
I shtyrë për një përgjigje më konkrete, Arbeloa shtoi:
“Nuk mendoj se është një pyetje që më takon mua, por e përsëris: besoj se kam një skuadër të jashtëzakonshme”.
Real Madridi do të udhëtojë këtë të shtunë drejt “La Ceramica” për t’u përballur me Villarrealin, në ndeshjen që do të luhet në orën 21:00.
Kjo do të jetë ndeshja e katërt e Arbeloas në krye të skuadrës.
Trajneri konfirmoi gjithashtu rikthimin e Rodrygo Goes në listën e lojtarëve, pas mungesës në tre takimet e para për shkak dëmtimi. /Telegrafi/


