Amerikani nga Kili, pas 35 vitesh përqafoi sërish nënën nga e cila ishte rrëmbyer kur ishte foshnjë
Kyle Adler, amerikan i lindur në Kili, u ribashkua me nënën biologjike Ana Maria Navarrete pasi zbuloi se si foshnjë ishte marrë ilegalisht nga familja e saj gjatë diktaturës së Augusto Pinochet.
Adler, sot 36 vjeç, ishte adoptuar në moshën nëntë muajshe dhe ishte rritur në një periferi të pasur të Chicago. Vetëm vite më vonë ai mësoi se ishte një nga mijëra fëmijët e marrë nga familje të varfra dhe autoktone në Kili midis viteve 1973 dhe 1990, gjatë diktaturës ushtarake të gjeneralit Augusto Pinochet.
Nëna e tij biologjike, Ana Maria Navarrete, ishte 19 vjeçe kur e lindi në qytetin bregdetar Coronel, rreth 533 kilometra në jug të kryeqytetit. Ajo ia kishte vendosur emrin Marcos Antonio Navarrete. Meqë punonte turne nate në një dyqan peshku dhe nuk kishte kushte për ta rritur vetë, ajo ia besoi një gruaje që e mori në shtëpinë e saj.
Navarrete pretendon se më vonë ajo grua i kishte thënë se djalin ia kishte dorëzuar një çifti amerikan, pasi një prift lokal kishte organizuar që foshnja “që kishte nevojë për familje” të dërgohej jashtë vendit.
Adler tha se nuk beson që prindërit e tij adoptues e dinin mënyrën se si ishte bërë adoptimi. “Prindërit e mi nuk më vodhën; nuk ma vendosën emrin Kyle nga ligësia. Ata më panë si atë që dëshironin të bëhesha dhe në këtë kishte shumë dashuri”, tha ai për Mike dhe Connie Adler.
Pika e kthesës erdhi në vitin 2017, kur në internet gjeti grupin Nos Buscamos. Organizata brenda tre muajsh konfirmoi origjinën e tij dhe organizoi një takim virtual, ndërsa testi i ADN-së nga MyHeritage më vonë konfirmoi përputhjen me Navarrete, e cila sot jeton në Santiago.
Nëna dhe djali u takuan sërish në shkurt, dy ditë pas ditëlindjes së saj të 56-të. Ata vizituan plazhin në Coronel, spitalin ku ai kishte lindur dhe shtëpinë nga ku ishte marrë, ndërsa u gjet edhe një kopje e certifikatës së tij origjinale të lindjes. Navarrete tani kërkon drejtësi dhe shpreson që përgjegjësit të dënohen me burg.
“Dua drejtësi. Jo vetëm për mua, por edhe për të, sepse nuk e di çfarë jete ka pasur”, tha ajo.
Rasti i tyre është pjesë e përpjekjeve më të gjera të familjeve dhe organizatave që synojnë të zbardhin rrjetet e adoptimeve të rreme në Kili dhe të kërkojnë përgjegjësi nga shteti. /Telegrafi/


