Alkotesti së shpejti do të jetë i detyrueshëm në të gjitha automjetet e reja në BE
Bashkimi Evropian po prezanton një rregull të ri sigurie që pritet të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë automjetet e reja në treg.
Sipas këtij vendimi, të gjithë automobilat e rinj që shiten në tregun evropian do të duhet të jenë teknikisht të përgatitur për instalimin e sistemit të njohur si “Alcolock”.
Ky sistem funksionon si një lloj alkotesti i integruar në veturë. Para se makina të ndizet, shoferi duhet të fryjë në pajisje, dhe nëse matet prani e alkoolit mbi kufirin e lejuar, automjeti nuk do të mund të ndizet fare.
Megjithatë, rregulli nuk nënkupton se çdo makinë e re do ta ketë menjëherë të instaluar këtë pajisje aktive. Në vend të kësaj, prodhuesit do të jenë të detyruar që automjetet t’i projektojnë dhe përgatisin teknikisht për instalimin e mëvonshëm të sistemit. Vetë pajisja pritet të vendoset kryesisht në rastet kur shoferëve u caktohet nga gjykata ose institucionet përkatëse, zakonisht pas shkeljeve të përsëritura në trafik.
Kjo masë është pjesë e rregullores më të gjerë të sigurisë në BE, e njohur si GSR2 (General Safety Regulation), që synon uljen e numrit të aksidenteve dhe viktimave në rrugë.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve evropianë të sigurisë rrugore, përdorimi më i gjerë i sistemit “Alcolock” mund të ulë ndjeshëm aksidentet fatale të lidhura me alkoolin, madje deri në 65 për qind.
Përveç këtij sistemi, rregullat e reja përfshijnë edhe teknologji të tjera të detyrueshme në automjetet e reja, si sisteme më të avancuara për zbulimin e këmbësorëve dhe çiklistëve, monitorimin e sjelljes së shoferit dhe funksione të zgjeruara të “kutisë së zezë” të automjetit.
Edhe pse shumica e shoferëve nuk do ta përdorin kurrë drejtpërdrejt këtë pajisje, nga 7 korriku çdo makinë e re në Bashkimin Evropian do të duhet të jetë e gatshme për instalimin e saj. /Telegrafi/


