Alarm te Spanja: Yamal dhe Porro, stërviten ndaras nga pjesa tjetër e ekipit
Futbollistët e Kombëtares së Spanjës, Lamine Yamal dhe Pedro Porro, kanë shkaktuar shqetësim në kampin spanjoll pas fitores 2-0 ndaj Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
Gjatë ndeshjes, superylli 19-vjeçar Lamine Yamal u pa duke mbajtur kofshën me dorë pas një dueli me Kylian Mbappen, moment që ngriti dyshime për një dëmtim muskulor.
Si pasojë, ai mungoi në seancën stërvitore të së enjtes, duke shtuar shqetësimet vetëm pak ditë para finales.
Përveç Yamalit, në stërvitje nuk ishte i pranishëm as mbrojtësi i djathtë Pedro Porro, i cili po ashtu ka pasur shtrëngime muskulore.
Lajmin e konfirmoi edhe përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, i cili pranoi se të dy futbollistët janë duke u menaxhuar me kujdes nga stafi mjekësor.
Gjithsesi, lajmet që vijnë nga Spanja janë optimiste. Mediat spanjolle raportojnë se as Yamal dhe as Porro nuk kanë pësuar ndonjë dëmtim serioz dhe pritet të rikuperohen në kohë për finalen e madhe kundër Argjentinës.
Finalja e Kupës së Botës ndërmjet Spanjës dhe Argjentinës zhvillohet të dielën, me fillim nga ora 21:00, ndërsa Luis de la Fuente pritet t'i ketë në dispozicion dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës së tij. /Telegrafi/


