Please enter at least 3 characters.

Alarm ekologjik në Maqedoni për ligjin e ri për lëndët minerale

Pasiguri juridike dhe rrezik për përplasje rreth pronës private. Ekologët alarmojnë për ligjin e ri për lëndët minerale, ku kompania merr leje për të gërmuar edhe para se të blejë token, sipas tyre, kjo është shkelje direkte e statusit pronësor-juridik me pronarët e tokës.

Organizata “Lugina e shëndoshë” iu drejtua drejtpërdrejt presidentes Gordana Siljanovska Davkova. Ata apeluan që presidentja të mos e nënshkruajë ligjin dhe që e drejta të vihet para fitimit, populli para oligarkisë.

“Tani ju jeni barriera e fundit ligjore mes legalizimit të oreksit korporativ të ‘minatorëve të vdekjes’ kundrejt jetës së qytetarëve. Si juriste, e dini se ky ligj nuk është vetëm bombë ekologjike, por edhe precedent kushtetues”, deklaroi Lugina e shëndoshë, organizatë joqeveritare.

– Presidentja, barriera e fundit ligjore mes legalizimit të oreksit korporativ të “minatorëve të vdekjes” kundrejt jetës së qytetarëve.
Ky ligj, i miratuar nga shumica para festës, i mundëson koncesionarit të marrë leje për punë para se të zgjidhet çështja pronësore me pronarët e tokës. Kjo, sipas ekologëve, është shkelje direkte e të drejtës së pronës së garantuar me Kushtetutë.

“Shteti me këtë ligj vihet në shërbim të kapitalit privat (shpesh një ofshor i dyshimtë), duke u lejuar të shkelin mbi pronën e huaj pa shpronësim final. Ky nuk është sundim i ligjit, por shfrenim ligjor për të cilin shteti do të paguajë (ose pronari ose koncesionari), ndërsa konflikte serioze do të ndodhin në terren për shkak të pasigurisë juridike të pronës private”, theksoi Lugina e shëndoshë, organizatë joqeveritare.

– Shteti me këtë ligj vihet në shërbim të kapitalit privat.– Konflikte serioze do të ndodhin në terren për shkak të pasigurisë juridike të pronës private.

Sipas organizatës, Strumica, Gjevgjelia, Vallandova dhe Prilepi po mobilizohen dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet. Ata theksojnë se, nëse ky ligj nënshkruhet, kjo do të jetë sinjal për mobilizim të përgjithshëm. Ata kërkojnë nga presidentja të përdorë të drejtën e vetos për ligjin i cili, siç thonë, është miratuar me nxitim, pa debat të vërtetë publik, me qëllim që të përfundojë “puna” para zgjedhjeve të vitit 2028. Sipas “Lugina e shëndoshë”, helmi nuk ka flamur dhe as ideologji të majtë apo të djathtë./Alsat.mk.