Please enter at least 3 characters.

Aktakuza për rezervat shtetërore, Hajdari: Prokuroria Speciale ka tendencë politike ndaj Qeverisë Kuerti

Ministrja në detyrë e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.

Në konferencë, Hajdari tha se në çdo situatë, krizë ekonomike, luftë apo gjendje tjera, shteti duhet të garantojë që qytetarët kanë qasje në produkte ushqimore bazë, transmeton Telegrafi.

“Vetëm për gjatë qeverisjes sonë, rezervat shtetërore kanë shënuar rritje më shumë së ndonjëherë, kjo është për ndryshim nga qeveritë e kaluara, kur rezervat shtetërore ishin të vjedhur. Çdo veprim i Prokurorisë nuk qëndron. Tendencë politike ndaj Qeverisë Kurti. Pohim në dobi politike, i palejueshëm dhe i pamoralshëm”, tha ajo.

Hajdari po ashtu deklaroi se Prokuroria ka mbledhur jashtëligjshëm provat, duke thënë se po trajtojnë njëanshëm çështjen.

"Kemi vepruar në urgjencë për të gjetur një shtet që do të lejonte eksportin për produkte bazë, kontratat që janë nënshkruar ishin jetike për qytetarët. Në një kontratë, ka arritur sasia me pak se është nënshkruar, dhe ne kemi bërë padi ndaj kësaj kompanie", deklaroi Hajdari.

Ajo po ashtu tha se kanë paditur edhe një kompani, dhe se paratë do t'i kthehen shtetit.

Sipas ministres, këtu nuk ka asnjë vepër penale dhe se nuk ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

"Do të luftojë deri në fund për të dëshmuar pafajësinë time", theksoi ajo.

Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të pandehurit Rozeta Hajdari, I.L. dhe H.G. akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.
Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit R.M.

R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave./Telegrafi/