Aksident në Mitrovicë, humb jetën një 30 vjeçar
Një burrë rreth 31-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku në fshatin Kutllovc të Mitrovicës. Lajmi është konfirmuar si nga Spitali i Përgjithshëm 'Dr. Sami Haxhibeqiri', ashtu edhe nga Policia e Kosovës.
Rreth orës 22:20, i aksidentuari u sjell pa shenja jete në Shërbimin Emergjent të spitalit, ku edhe përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor për ta ringjallur, vdekja u konstatua.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i spitalit, Shpend Fazliu.
“Rreth orës 22:20, në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë është sjellë një i aksidentuar 30-vjeçar, pa shenja jete. Përkundër masave reanimatore në vendngjarje dhe në spital nga stafi mjekësor, fatkeqësisht ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e të aksidentuarit”, tha Fazliu.
Policia e Kosovës, përmes zëdhënësit për Mitrovicën, Avni Zahiti, konfirmoi se aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:37.
“Policia në Mitrovicë ka pranuar informacion për një aksident trafiku në fshatin Kutllovc. Sipas informatave fillestare, si pasojë e lëndimeve të pësuara, ka humbur jetën një person mashkull rreth 30-vjeçar. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorin janë duke zhvilluar hetime për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit", tha Zahiti.
Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e aksidentit. /Telegrafi/


