Agim Aliu deklaron pasurinë, mbi 3 hektarë tokë dhe mijëra euro kursime
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2026 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas dokumentit zyrtar, profili financiar i tij bazohet kryesisht në pasuri të paluajtshme të trashëguara dhe kursime të krijuara nga të hyrat vjetore.
Portofoli i pasurisë së paluajtshme, mbi 3 hektarë tokë
Aliu ka deklaruar një numër të konsiderueshëm parcelash, ku pjesa më e madhe janë të trashëguara nga prindi në vitin 2010.
Në listë përfshihen:
- Një pyll me sipërfaqe mbi 20 ari (pronar me pjesë ideale 1/6)
- Një truall prej 55.72 ari në pronësi të përbashkët
- Një arë prej 20.02 ari e fituar përmes shitblerjes në vitin 2021
- Një parcelë toke prej 14.54 ari dhe një oborr prej 5 ari
- Një shtëpi me sipërfaqe 173.18 metra katrorë, gjithashtu e trashëguar
Po ashtu, ai ka deklaruar një banesë në emër të bashkëshortes, me sipërfaqe 153.37 metra katrorë, e blerë në vitin 2022 në vlerë prej 63,000 eurosh. Sipas deklarimit, kjo pronë është financuar nga shitja e një trulli dhe kursimet familjare.
Kursimet dhe të hyrat vjetore familjare
Në kategorinë e parasë së gatshme, Aliu ka deklaruar kursime të konsiderueshme në institucione bankare. Në llogarinë e tij personale figurojnë 50,985.57 euro, ndërsa në llogaritë e bashkëshortes dhe fëmijëve janë mbi 6,000 euro.
Të hyrat vjetore të familjes Aliu burojnë nga disa burime:
- Paga vjetore e kryetarit: 16,860 euro
- Mëditje nga udhëtimet zyrtare: 941 euro nga Këshilli i Evropës dhe 761 euro nga Bashkimi Evropian
- Të hyrat e bashkëshortes: 7,584 euro si mësimdhënëse dhe 1,200 euro si ligjëruese në Kolegjin AAB
- Të hyrat e fëmijës dhe prindit: 4,200 euro nga puna në sektorin privat dhe 1,600 euro nga pensioni vjetor.
Pasuria e luajtshme dhe angazhimet politike
Në deklarim përfshihen edhe dy automjete:
- Një “Volkswagen” i vitit 2015 në vlerë prej 4,000 eurosh
- Një “Renault” i vitit 2022, në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 6,500 euro
Përveç funksionit si kryetar i Komunës së Ferizajt, Aliu ka deklaruar edhe angazhimet e tij si kryetar i Degës së PDK-së në Ferizaj dhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, për të cilat ka theksuar se janë pa të hyra shtesë.
Sipas regjistrit të deklarimit, ai nuk ka asnjë detyrim financiar aktual ndaj bankave apo institucioneve të tjera. /Telegrafi/


