Abdixhiku kritika ndaj Qeverisë Kurti: Marrja me zgjedhjet e protestat në Shqipëri në kohë pandemie, papjekuri dhe papërgjegjësi politike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë sot se marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri nga kryeministri Albin Kurti, ministrat e deputetët e tij në kohën kur nga 80 bashkëqytetarë në javë vdesin nga coronavirusi në Prishtinë dhe kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.
Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.
Lexoni të plotë postimin e Abdixhikut në Facebook:
Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri - nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij - në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi.Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim - qoftë madje edhe si solidarizim - është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot! Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!. /Telegrafi/


