Please enter at least 3 characters.

A ka vdekur Mojtaba Khamenei? Ai shfaqet në muralin e martirëve në Iran

Një mural që përshkruan Mojtaba Khamenein së bashku me komandantë dhe zyrtarë të vdekur iranianë është bërë viral në Iran, duke nxitur spekulime se Ajatollahu i ri i vendit mund të jetë i vdekur ose i plagosur rëndë gati dy muaj pasi u pa për herë të fundit në publik.

Murali, i zbuluar në Mashhad Ardehal në perëndim të Kashanit dhe i titulluar "Martirët e Luftës Epike", përshkruan udhëheqës të lartë ushtarakë dhe politikë iranianë të ndjerë, përfshirë Qassem Soleimani, ish-Presidentin Ebrahim Raisi dhe themeluesin e Republikës Islamike Ruhollah Khomeini.

Pamjet e muralit u përhapën me shpejtësi në rrjete sociale, duke ngjallur pyetje në lidhje me fatin e udhëheqësit të ri suprem dhe djalit të Ali Khameneit të ndjerë, i cili u vra në sulmet e para amerikane-izraelite në Teheran më 28 shkurt.

Autoritetet iraniane nuk kanë komentuar.

Ndryshe, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur në asnjë video ose regjistrim audio që kur sulmet goditën rezidencën e babait të tij në fillim të luftës.

Mediat ndërkombëtare, duke cituar zyrtarë iranianë, kanë raportuar se ai pësoi lëndime të rënda në sulmin e 28 shkurtit.

Raportet thanë se ai i ishte nënshtruar disa operacioneve në këmbë dhe krahë dhe kishte vështirësi të fliste për shkak të djegieve të rënda në fytyrë dhe buzë.

Raportime të tjera pretendonin se ai iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale plastike për lëndimet e tij dhe se presidenti iranian Masoud Pezeshkian - vetë një mjek - ishte përgjegjës për shërimin e tij. /Telegrafi/