A do të jetë Bedri Hamza kryetar i ri i PDK-së? Krasniqi: Nëse kandidon, unë do ta mbështes
Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje sot (e mërkurë) nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai e zyrtarizoi dorëheqjen e tij në një konferencë për media, duke thënë se ky është hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në.
Ndonëse u pyet nga gazetarët se a do të jetë Bedri Hamza, kryetari i ri i partisë, Krasniqi u shpreh se gara është e hapur.
“Meqenëse tash jemi para zgjedhjeve mendoj se duhet ta kemi edhe kandidatin për kryeministër edhe kryetar të partisë. Unë jam i bindur që kandidati i PDK-së për kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza, dhe normalisht se nëse miku im kandidon për të qenë kryetar i PDK-së ai e ka mbështetjen time të plotë”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se ka besim në lidershipin e Hamzës.
“Besoj në lidershipin e tij dhe besoj që është figura që mund ti prijë partisë në fazën e ardhshme. Gara është e hapur, kushdo që i plotëson kriteret statutare dhe rregullores së konventës ka të drejtë me garu”, tha Krasniqi.
Krasniqi bëri të ditur se të hënën më 17 nëntor do të mbahet konventa e PDK-së ku edhe do të bëhet zgjedhja e kryetarit të ri. /Telegrafi/


