Please enter at least 3 characters.

81 vjet nga bombardimi atomik i Nagasakit, Japonia përballet me një dilemë të re

Japonia shënoi 81-vjetorin e bombave atomike të vitit 1945.

Kryebashkiaku i Nagasakit i cilësoi armët bërthamore si “të keqen absolute” dhe i bëri thirrje qeverisë japoneze të respektojë tre parimet jo-bërthamore të vendit.

Përvjetori i bombardimeve të Hiroshimas dhe Nagasakit vjen në një kohë kur në Japoni është rikthyer debati për sigurinë dhe armët bërthamore.

Rritja e kapaciteteve ushtarake të Kinës dhe pasiguria mbi angazhimin afatgjatë të SHBA-së për sigurinë e Japonisë kanë shtuar presionin ndaj politikës tradicionale pacifiste të Tokios.

Kryeministrja Sanae Takaichi nuk ka konfirmuar nëse do të vazhdojë t'u përmbahet tre parimeve jo-bërthamore: Japonia të mos posedojë, prodhojë apo lejojë futjen e armëve bërthamore në territorin e saj.

Ministri i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, ndërkohë ka bërë thirrje për një diskutim mbi këtë çështje.

Japonia ka nisur gjithashtu të zgjerojë kapacitetet e saj ushtarake, duke rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe duke lehtësuar kufizimet për eksportin e armëve.

Kina i ka kritikuar këto politika, duke e akuzuar Tokion për “militarizëm të ri”.

Të mbijetuarit e bombardimeve, të njohur si hibakusha, janë shprehur të shqetësuar për ndryshimin e politikës së Japonisë. Satoshi Tanaka, 82 vjeç, një i mbijetuar i Hiroshimas, tha se udhëheqësit japonezë po i kushtojnë shumë vëmendje fuqisë ushtarake dhe shumë pak diplomacisë.

Ndryshe, sulmet atomike amerikane në Hiroshima dhe Nagasaki në gusht 1945 vranë më shumë se 210,000 njerëz, përfshirë viktima nga ekspozimi ndaj rrezatimit. Ato mbeten të vetmet raste kur armët bërthamore janë përdorur në luftë.

Sot, numri i të mbijetuarve të njohur zyrtarisht në Japoni ka rënë në rreth 91,000, me një moshë mesatare prej 86.7 vjeç.