Please enter at least 3 characters.

602 pacientë iu nënshtruan operacioneve të syrit në Spitalin e Mitrovicës gjatë vitit 2025

Reparti i Oftalmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka realizuar 602 operacione të syrit gjatë vitit 2025, për patologji dhe sëmundje të ndryshme oftalmologjike, si dhe për ndërhyrje urgjente në raste të lëndimeve traumatike.

Nga spitali bëhet e ditur se ky repart ofron kujdes mjekësor 24-orësh për pacientët që kanë nevojë për trajtim dhe mbrojtje të shëndetit të syve.

Shërbimet ofrohen nga një ekip profesional i përbërë nga pesë mjekë specialistë, gjashtë infermierë dhe katër instrumentare.

Përveç ndërhyrjeve kirurgjikale, gjatë vitit të kaluar janë realizuar gjithsej 14 mijë e 514 vizita ambulantore, për pacientë me ankesa dhe shqetësime të ndryshme oftalmologjike.

Drejtuesit e repartit theksojnë se ofrimi i shërbimeve të vazhdueshme dhe të specializuara mbetet prioritet, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e shëndetit të syve për cilësinë e jetës së pacientëve. /Telegrafi/