Please enter at least 3 characters.

6 gjëra që fëmijët i vërejnë te prindërit, edhe kur ata mendojnë se askush nuk po i sheh

Mund të mendoni se nuk i vërejnë, por fëmijët regjistrojnë çdo detaj – madje edhe ato sjellje që të rriturit i konsiderojnë të parëndësishme

Fëmijët janë shpesh shumë më të vëmendshëm nga sa mendojnë të rriturit. Ata nuk dëgjojnë vetëm atë që u thuhet drejtpërdrejt, por vëzhgojnë edhe mënyrën se si flasim për veten dhe të tjerët, çfarë themi për ta kur nuk janë pjesë e bisedës dhe si sillemi në situata të ndryshme.

Terapistët kanë veçuar disa gjëra që fëmijët i vërejnë në përditshmëri, edhe kur të rriturit nuk janë të vetëdijshëm për to. Qëllimi nuk është të gjykojmë prindërit, por të kuptojmë se sjelljet tona të përditshme mund të ndikojnë shumë te mënyra se si fëmijët e shohin veten dhe botën.

1. Si flisni për partnerin dhe kujdestarët e tjerë

Mund të mendoni se jeni diskretë kur rrotulloni sytë, bëni një vështrim kritik ose komentoni me ironi për partnerin. Por fëmijët i vërejnë edhe këto sinjale të vogla joverbale.

Psikologia klinike Jazmine McCoy thotë se fëmijët e kuptojnë kur një prind ose kujdestar tjetër kritikohet, edhe nëse kjo bëhet përmes shakave apo sarkazmës.

Prandaj, është e rëndësishme të flisni pozitivisht për njerëzit që kujdesen për fëmijën, edhe kur mendoni se ai nuk po ju dëgjon. Kjo e ndihmon të ndihet më i sigurt, i dashur dhe emocionalisht i lidhur me familjen.

@mary.orton Ready for the senate to adjourn so I can have a glass of wine.🍷 P.S. How young is too young to be recruited by the CIA? 🕵🏼♀️ #momlife#momsoftiktok#momtok#toddlertok#toddlersoftiktok#classicstyle#fyp#foryou#parentsoftiktok#parentinghumor#parentingtips#parentinghacks#fashiontok♬ original sound - Mary Orton

2. Si e shihni trupin tuaj

Fëmijët janë shumë të vëmendshëm ndaj mënyrës se si të rriturit flasin për trupin e tyre dhe të të tjerëve. Ata vërejnë nëse shmangni pasqyrën, nuk dëshironi të fotografoni veten, fshihni trupin në plazh apo bëni vazhdimisht komente negative për pamjen tuaj.

Nutricionistja Alyssa Miller thotë se përmes këtyre sjelljeve fëmijët mësojnë çfarë konsiderohet “e bukur”, “e mirë” apo “e padëshirueshme”.

“Fëmijët nuk turpërohen nga barku, kofshët apo gjatësia e tyre derisa dëgjojnë një koment ose shohin dikë tjetër që ndihet i pasigurt për trupin e tij”, shpjegon ajo.

3. Çfarë vlerësoni në të vërtetë

Fëmijët i kuptojnë vlerat e prindërve jo vetëm nga ajo që thonë, por sidomos nga ajo që bëjnë.

Mund t’i thoni fëmijës se në sport më e rëndësishme është të argëtohet, të mësojë dhe të bashkëpunojë me ekipin. Por nëse pas ndeshjes pyetja juaj e parë është: “Kush fitoi?”, mesazhi që i përcillni mund të jetë krejt tjetër.

E njëjta gjë vlen edhe për ndershmërinë. Nëse i mësoni të mos gënjejë, por më pas i kërkoni të thotë një moshë të rreme për të marrë një biletë më të lirë, fëmija mëson nga veprimi juaj.

4. Sa i mëshirshëm jeni me veten

Fëmijët vërejnë mënyrën se si reagojmë kur bëjmë gabime. Nëse e kritikoni veten vazhdimisht, keni pritshmëri të pamundura ose e përjetoni çdo dështim si katastrofë, fëmija mund ta përvetësojë të njëjtin qëndrim.

Në të kundërt, një i rritur që pranon gabimet, tregohet i butë me veten dhe vazhdon përpara, i mëson fëmijës që gabimet janë pjesë e jetës dhe mund të shërbejnë si mundësi për të mësuar.

@theparentingreframe This is the phrase I used with my kids to help cultivate empathy and compassion. We don’t know their story.
♬ original sound - Albiona Rakipi

5. Marrëdhënia juaj me ushqimin

Fëmijët vëzhgojnë jo vetëm çfarë hamë, por edhe mënyrën se si flasim për ushqimin.

Komentet si “kjo është e rrezikshme”, etiketimi i ushqimeve si “të mira” ose “të këqija”, kapërcimi i vakteve apo ndjenja e fajit pas ngrënies nuk kalojnë pa u vënë re.

Me kalimin e kohës, këto sjellje mund të ndikojnë në mënyrën se si fëmija e sheh ushqimin dhe të krijojnë qëndrime jo të shëndetshme ndaj të ngrënit.

Një qasje e ekuilibruar dhe pozitive ndaj ushqimit mund t’i ndihmojë fëmijët të krijojnë zakone më të shëndetshme.

6. Si flisni për fëmijën me të tjerët

Mund të mendoni se fëmija nuk ju kupton kur i tregoni partnerit ose një miku për një shpërthim zemërimi që ka pasur në dyqan. Por edhe nëse nuk kupton çdo fjalë, ai mund ta ndiejë që po flisni negativisht për të.

Sipas psikologes McCoy, kjo mund të ndikojë në vetëvlerësimin e fëmijës dhe në marrëdhënien që ai ka me ju.

Prandaj, kur flisni me të tjerët për një situatë të vështirë, përqendrohuni më shumë te ajo që fëmija mësoi ose te mënyra se si e zgjidhët problemin, sesa vetëm te gabimi.

Një rregull i thjeshtë mund t'ju ndihmojë: flisni për fëmijën me të tjerët ashtu siç do të flisnit me të nëse do të ishte përballë jush. /Telegrafi/