10 përballjet më të pritura në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026
Me formatin e zgjeruar me 48 kombëtare, faza e grupeve në Kupën e Botës 2026 pritet të jetë e mbushur me ndeshje të mëdha dhe përplasje stilesh.
“Flashscore” ka përzgjedhur dhjetë duelet që, sipas tyre, nuk duhen humbur në këtë Botëror.
Në një Kampionat Botëror me 48 ekipe dhe me më shumë ndeshje se kurrë, këto janë disa nga duelet që pritet të japin temperaturën e vërtetë të turneut që nis në Amerikën e Veriut.
10) Turqi – Shtetet e Bashkuara
Edhe pse kanë luajtur disa miqësore ndër vite, kjo do të jetë hera e parë që Turqia dhe SHBA-ja përballen në një Kampionat Botëror. Turqit kanë fituar 2-1 një miqësore rreth një vit më parë, por në një stadium të mbushur në Los Angeles pritet një sfidë e vështirë, me amerikanët që do të mbështeten te atletizmi, presingu dhe shpejtësia në sulm, ndërsa Turqia te kreativiteti teknik dhe menaxhimi i momenteve të ndeshjes.
9) Gana – Kroaci
Gana, e etur të harrojë një fushatë zhgënjyese në Katar, do të përballet në Filadelfia me Kroacinë, një ekip që ka marrë vendin e dytë dhe të tretë në dy Botërorët e fundit. Ganezët vijnë pas një periudhe të trazuar, pasi ish-përzgjedhësi Otto Addo u shkarkua më 31 mars pas rezultateve të rënda, por gjithsesi mund t’i hapin shumë probleme kroatëve, të cilët mbështeten te përvoja dhe cilësia e lojtarëve veteranë.
8) Argjentinë – Austri
Për herë të parë në një Kupë Bote, Argjentina dhe Austria do të ndeshen mes vete. Për shumë, kjo është thjesht një hap tjetër drejt mbrojtjes së titullit nga Argjentina, por puna taktike e Ralf Rangnickut te Austria mund të sjellë surpriza. Stili i pasimeve të shkurtra i argjentinasve do të vihet në provë nga presingu agresiv austriak, duke krijuar një kontrast interesant.
7) Uruguai – Spanjë
Spanja vjen si kampione e Evropës dhe me një rekord të jashtëzakonshëm në kualifikime, ndërsa Luis de la Fuente ka ruajtur identitetin e lojës me posedim. Por Uruguai mund t’i shkaktojë telashe me intensitetin, fizikalitetin dhe qasjen më direkte në sulm. Është një duel mes dy identiteteve krejtësisht të ndryshme futbolli.
6) Brazil – Maroku
Brazil-Maroku ka potencial të jetë një nga ndeshjet më atraktive të fazës së grupeve. Brazili vjen me talentin dhe kreativitetin e zakonshëm ofensiv, por raporti thekson se ata patën vështirësi në finalizim në fazën kualifikuese. Kjo mund të jetë problem ndaj një Maroku të organizuar defensivisht dhe shumë të rrezikshëm në kundërsulm. “Atlas Lions” vazhdojnë të mbajnë reputacionin e ekipit të rrezikshëm pas vendit të katërt në Katar 2022.
5) Francë – Senegal
Një përballje me histori, në ndeshjen hapëse të Botërorit 2002, Senegali e mposhti Francën 1-0 në një nga surprizat më të mëdha. Tani pyetja është nëse historia mund të përsëritet 24 vjet më vonë. Franca vjen pas një fushate të qetë kualifikuese dhe kërkon start perfekt, ndërsa Senegali, që ka humbur vetëm dy ndeshje që nga dhjetori 2024, synon të shkojë më larg se në Katar, ku u eliminua në 1/8 e finales.
4) Kolumbi – Portugali
Një duel që premton shumë. Portugalia hyn në turne me thellësi të madhe në sulm dhe me përvojë, ndërsa Kolumbia me një skuadër të balancuar dhe fizike, që mund të synojë vendin e parë në grup. Mesfusha portugeze me emra si Rafael Leao, Bernardo Silva, Bruno Fernandes dhe Joao Neves do të ketë punë, pasi Kolumbia pritet të jetë e fortë në mbrojtje dhe e rrezikshme në tranzicion përmes shpejtësisë së Luis Diaz.
3) Gjermani – Bregu i Fildishtë
Për herë të parë ndonjëherë, Gjermania dhe Bregu i Fildishtë do të përballen në Botëror. Gjermanët, katër herë kampionë të botës, u eliminuan surprizueshëm në fazën e grupeve në 2018 dhe 2022 dhe duan ta largojnë atë hijë nën drejtimin e Julian Nagelsmannit. Ndërkohë, Bregu i Fildishtë rikthehet në Botëror për herë të parë që nga 2014 dhe konsiderohet ekip shumë i rrezikshëm menjëherë pas fitimit të topit.
2) Francë – Norvegji
Kjo shihet si një nga përballjet më shpërthyese të fazës së grupeve, falë arsenaleve sulmuese në të dyja anët. Franca mbështetet te shpejtësia, atletizmi dhe cilësia individuale, por Norvegjia – që e rrënoi Italinë në kualifikime – vjen me një treshe shumë të frikshme në sulm: Erling Haaland, Martin Odegaard dhe Antonio Nusa.
1) Angli – Kroaci
Anglia dhe Kroacia pritet të luftojnë për vendin e parë në Grupin L (me Ganën që mund të ketë rol), ndërsa historia mes dy kombëtareve e bën këtë duel edhe më të madh. Anglia duket më e fortë se në vitin 2018 kur u eliminua nga Kroacia në gjysmëfinale, falë emrave si Jude Bellingham, Morgan Rogers, Marcus Rashford dhe Bukayo Saka. Kroatët, nga ana tjetër, do të mbështeten sërish te Luka Modric 40-vjeçar për të udhëhequr një skuadër që po plaket, por që di të luajë turnetë. /Telegrafi/


